Tabaku refuzon garën për Bashkinë: Kolltuku i sigurt në Kuvend, më i rëndësishëm se beteja, PD ende pa emër për Tiranën

17/09/2025 12:00

Të gjithë presin një kandidat për Bashkinë e Tiranës. Publiku pret një emër, një figurë, një përfaqësues që të dalë në shesh.

Dhe sot, Jorida Tabaku, një nga emrat e mundshëm, e tha troç: “Jo, nuk e bej unë.” Me këtë, një tjetër emër i opozitës largohet nga beteja jo thjesht sepse gara është e humbur, se në opozitë e zgjedhje të pjesshme kjo është traditë, por sepse nuk ka garues e sakrifikues.

Nga ana tjetër duket qartë që Sali Berisha është “plakur” edhe në autoritet, për t’u caktuar të vetëve misione. Dikur edhe ta humbje bashkinë e Tiranës ishte promovim i lartë. Se PD bashkinë e Tiranës në 3 dekada e ka fituar vetëm një herë, por të garoje për të do të ishte sinjal për pasardhësit. Sot në PD nuk ka lojë as për PD!

Në fakt, kjo është kthyer në sport kombëtar brenda opozitës: kush do të gjejë arsye më elegante për të mos hyrë në betejë. Parlamenti shërben si strehë e ngrohtë, një kolltuk i rehatshëm ku nuk ka humbje, nuk ka rrezik, nuk ka përgjegjësi. Një opozitë e karrigeve të sigurta, por jo e betejave të rrezikshme.

Ndërkohë, nuk mungojnë shembujt e atyre që dikur morën mbi supe beteja personale, sakrifikuan, e paguan çmimin — dhe pastaj u lanë në harresë, sepse partia nuk di të shpërblejë sakrificën. Atyre që guxuan nuk iu dha vend, ndërsa atyre që shmangen u mbajt kolltuku. Ironia është se opozita duket më e aftë të ndëshkojë trimat sesa të përballojë humbjet.

Kështu sot, përballë një gare që nuk do të ndryshojë balancat, mbetet pyetja: kush do të dalë për të shpëtuar dinjitetin e partisë? Sepse nuk bëhet fjalë për të fituar Tiranën —këtë të gjithë e dinë. Bëhet fjalë për të treguar se opozita ekziston, se ka fytyrë, se nuk fshihet pas llafeve parlamentare.

Nëse çdo emër i madh tërhiqet dhe çdo përfaqësues i votuar mban kolltukun e sigurt, atëherë kjo nuk është më opozitë. Është një klub rehatie, ku humbja shmanget me çdo kusht dhe dinjiteti flijohet me qetësi. Dhe aty ku mungon guximi për të hyrë në betejë, mbetet vetëm boshllëku i një politike që pret ende një frymë që ta zgjojë.

Top Channel