
Izraeli nuk jep shenja tërheqjeje nga ofensiva e tij në qytetin e Gazës. Në vend të kësaj, ai pretendon se do t’u krijojë banorëve mundësinë të largohen përmes hapjes së një rruge të re kalimi të përshkruar si të sigurt.
“Ne po hapim një rrugë të përkohshme transporti përmes kalimit Salah al-Din. Korridori do të mbetet i hapur vetëm për 48 orë duke nisur nga mesnata e së enjtes”, shprehet Avichay Adraee, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Deri më tani, IDF-ja u kishte bërë thirrje banorëve që të largoheshin nga Qyteti i Gazës përmes rrugës buzë detit drejt asaj që e cilëson si “zonë humanitare” më në jug, përfshirë pjesë të Al-Mavasit. Rruga Salah al-Din kalon përmes Rripit të Gazës nga veriu në jug. OKB-ja vlerësoi në muajin gusht se afro 1 milion banorë jetojnë në Qytetin e Gazës dhe rrethinat e qytetit. Izraeli tha se ofensiva tokësore e nisur të martën synon që të largojë Hamasin nga një prej bastioneve të tij të fundit në Rripin e Gazës. Ushtria e shtetit hebre nisi bombardime masive në Qytetin e Gazës mëngjesin e një dite më parë dhe çoi trupat më thellë brenda qendrës më të madhe urbane në Rripin e Gazës.
Ofensiva vjen pasi një hetim i kryer nga Kombet e Bashkuara e akuzoi Izraelin për kryerje “të genocidit” në territorin palestinez, duke thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë nxitur këtë krim. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Top Channel