Vrau CEO-n e kompanisë së sigurimeve shëndetësore, Gjykata rrëzon akuzat për terrorizëm ndaj Luigi Mangiones / Çfarë rrezikon 27-vjeçari

16/09/2025 16:47

Një gjyqtar i Nju Jorkut ka rrëzuar të martën dy akuza të lidhura me terrorizmin ndaj Luigi Mangione, 27 vjeç, i cili akuzohet për ekzekutimin e ish-CEO-s së UnitedHealthcare, duke i cilësuar ato si “ligjërisht të pamjaftueshme”.

Megjithatë, Mangione vijon të përballet me akuzën për vrasje të shkallës së dytë, që mund t’i sjellë burgim të përjetshëm.

Sipas vendimit të gjyqtarit Gregory Carro, ligji i shtetit të Nju Jorkut e përcakton terrorizmin si një akt që synon të frikësojë ose të detyrojë një komunitet apo një njësi qeveritare, jo vrasjen e një individi të vetëm. “Motive ideologjike nuk mjaftojnë për të përmbushur këtë kriter,” shkroi gjyqtari në vendim.

Mangione akuzohet se vrau Brian Thompson vitin e kaluar në Midtown Manhattan, teksa ekzekutivi po shkonte drejt një hoteli ku zhvillohej konferenca vjetore e investitorëve të UnitedHealthcare. Në vendngjarje, policia gjeti plumba dhe gëzhoja të shënuara me fjalët “delay”, “deny” dhe “depose”.

Pas atentatit, një ndjekje disa-ditore tërhoqi vëmendje kombëtare. Mangione u arrestua më 9 dhjetor në një McDonald’s në Pensilvani, ndërsa në çantën e tij u gjet arma e përdorur, një karikator i mbushur dhe shënime përpara sulmit.

Ai është akuzuar njëkohësisht në gjykatën shtetërore dhe atë federale, ku Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar se do të kërkojë dënimin me vdekje. Avokatët e tij e kanë kundërshtuar fort këtë situatë, duke pretenduar se përballja në dy procese paralele është e paprecedentë dhe se e cenon të drejtën e tij për mbrojtje.

Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për shkelje të klauzolës së “dyfishit të rrezikut” (double jeopardy), gjyqtari Carro theksoi se precedenti i Gjykatës së Lartë Amerikane lejon ndjekjen penale nga dy sovranitete të ndryshme.

Në seancën e së martës, Mangione u shfaq i lidhur me pranga, i veshur me uniformë bezhë të burgut. Dhjetëra mbështetës të tij ishin mbledhur para gjykatës së Manhatanit, shumë prej tyre të veshur me ngjyrë jeshile, simbol i fushatës së mbështetjes për të. Një grua madje kishte veshur një bluzë me figurën e personazhit Luigi nga loja “Super Mario Bros.”

Që prej arrestimit, Mangione ka mbledhur mbi 1.2 milionë dollarë përmes një platforme online donacionesh, me shuma që variojnë nga 5 dollarë e lart.

Seanca e radhës është caktuar për 1 dhjetor, ku gjykata do të shqyrtojë kërkesën e mbrojtjes për të përjashtuar disa prova të mbledhura nga policia.

Nëse shpallet fajtor në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut, Mangione mund të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa procesi federal mund ta përballe atë me ekzekutim.

Top Channel