Trump ushtron presion ndaj Zelenskyt: Duhet të arrijë një marrëveshje sa më shpejt, ndoshta do më duhet të ulem në tryezë me negociatorët

16/09/2025 17:21

Presidenti amerikan, Donald Trump i bëri thirrje homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky sot që të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se ai vetë duhet të jetë në të njëjtën dhomë me negociatorët nga Moska dhe Kievi.

“Zelensky duhet të bëjë një marrëveshje”, u tha presidenti amerikan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për në Britani, duke shtuar se gjatë bisedimeve të ardhshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, ai ka të ngjarë të duhet të jetë në të njëjtën dhomë me dy delegacionet sepse të dy palët “nuk mund të bashkëjetojnë”.

“Duket sikur do të më duhet të ulem në një dhomë me ta sepse ata nuk mund të ulen në një të tillë”, tha Trump, ndërsa u bëri thirrje përsëri europianëve të ndalojnë blerjen e naftës ruse.

Presidenti amerikan trajtoi gjithashtu çështjen e TikTok, duke theksuar se SHBA-të dhe Kina kanë arritur një marrëveshje që do të lejojë që aplikacioni të vazhdojë të funksionojë në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi një marrëveshje për TikTok, kam arritur një marrëveshje me Kinën, do të flas me presidentin Xi të premten për të konfirmuar gjithçka”, tha Trump.

Presidenti amerikan foli gjithashtu për operacionin e ri tokësor izraelit në Gaza, duke thënë se “nuk di shumë”.

“Do të duhet të presim dhe të shohim”, tha ai, dhe përsëriti paralajmërimin e tij ndaj Hamasit që të mos përdorë pengjet si mburoja njerëzore.

Ai shtoi gjithashtu se organizata terroriste “do të paguajë shtrenjtë” nëse e bën këtë.

Top Channel