
Në një fjalim në vitin 1848 në Parlamentin britanik, ish-kryeministri i atëhershëm Lordi Palmerston do deklaronte se “ne nuk kemi miq dhe armiq të përhershëm, por interesa të përhershme”.
Kjo thënie më pas u adoptua nga diplomati legjendar amerikan Henry Kissinger. Pak a shumë kjo linjë diplomatike autentike britanike vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe kryeministri Sir Keir Starmer nuk ka si t’i ikë kësaj aksiome edhe në prag të vizitës së dytë zyrtare të presidentit Trump në Londër, e para për një kryetar shteti.
Vetëm një kryeministër britanik mund t’i ofrojë një presidenti amerikan, një filobritaniku si Trump në thelb, pompozitetin dhe ceremonitë protokollare nëpër kështjellat mbretërore të ofruara nga monarku britanik Charles.
Vizita e Starmerit, i ftuar në shkurt, në Zyrën Ovale, u duk si e hershme si ftesë në qarqet mediatike dhe diplomatike, dhe se Trump do duhej të bënte më shumë që të merrte një trajtim të tillë dy herë për një kryetar shteti, siç po ndodh me Trump.
Kjo vizitë treditore që fillon këtë të martë në Londër, ndodh në një sfond të komplikuar, siç është skandali me ish-pedofilin famëkeq amerikan Epstein, i cili ka njollosur emrin e Trump, madje ka ngrënë edhe kokën e ambasadorit britanik në Uashington, ish-mikun e Tony Blair-it, Lordit Mendelson.
Kjo vizitë e Trumpit nuk është e para që shkakton kaq debat, pasi ka pasur liderë të tjerë botërorë ndër vite dhe dekada, si Ceaușescu apo Putin, por kurrë s’ka pasur një skandal të këtyre përmasave në sfondin e një vizite shtetërore.
Ka një kaleidoskop çështjesh në raportet Trump-Starmer, si Ukraina, Gaza problematike për partinë e kryeministrit Starmer, apo politika joortodokse e Trumpit për tarifat. Por tre ditët e ardhshme do vendosin nëse do ketë mbyllje të çarash në marrëdhëniet transatlantike.
Qeveria e Starmer argumenton se ofensiva sharmante ndaj Trumpit është rezultative, ku Britania ka përfituar më shumë se Evropa, pasi më shumë se një miliardë dollarë janë para amerikane të investuara në firmat financiare britanike.
Ka një shkollë të vjetër mendimi diplomatik në Londër që kërkon argumenta kundër kësaj vizite të presidentit amerikan. Por ka të tjerë që janë për një qasje më pragmatike, thënë ndryshe, për pushtetin e butë, dhe pavarësisht nëse të pëlqejnë ose jo disa aspekte të sjelljeve politike apo personale të Trumpit, ka gjëra më të rëndësishme në rrezik për interesat vitale britanike.
E nëse kjo vizitë i shërben interesit britanik, gjithçka tjetër është irrelevante në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme.
Top Channel