Spanja vendos, voton për bojkotimin e Eurovisionit nëse Izraeli merr pjesë në festivalin e këngës

16/09/2025 14:11

Bordi i transmetuesit shtetëror spanjoll RTVE ka marrë vendim për t’u tërhequr nga Festivali i Këngës Eurovision 2026 nëse Izraeli merr pjesë në garë.

Ky vendim erdhi pas debatit të brendshëm ku votuan 10 anëtarë pro bojkotit, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Spanja bëhet kështu vendi i pestë që paralajmëron bojkotin e Eurovisionit për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, pas Holandës, Sllovenisë, Islandës dhe Irlandës. Ky është edhe vendimi i parë i marrë nga “Pesë të Mëdhenjtë” e Eurovisionit, një grup që përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Francën, vende këto që kontribuojnë më shumë financiarisht dhe kualifikohen automatikisht në event.

Eurovision, i njohur për neutralitetin e tij politik, ka qenë i përfshirë këtë vit në polemika të mëdha për shkak të luftës në Gaza. Disa vende kishin kërkuar që Unionit Evropian të Transmetimeve t’i ndalohej pjesëmarrja Izraelit në edicionin e vitit 2025, ku konkurrenti izraelit Yuval Raphael arriti vendin e dytë.

Këngëtari austriak JJ, fituesi i këtij viti, gjithashtu ka bërë thirrje për përjashtimin e Izraelit nga Eurovision 2026.

Ky zhvillim ngre sërish diskutime për ndikimin e politikës në ngjarjet kulturore ndërkombëtare dhe për qëndrimin që duhet mbajtur në një festival që tradicionalisht promovon unitetin dhe bashkëpunimin mes vendeve.

Top Channel