
Pas një pushimi, ka rinisur seanca plenare sërish, ku deputetët e opozitës nuk janë dakord që të kalojnë në votim ndryshimet e rregullores së Kuvendit, në lidhje me ngritjen e 11 Komisioneve Parlamentare, nga 8 që janë aktualisht.
Opozita thotë se nuk mund të votohet në kohë kaq të shkurtër, duke kërkuar me tepër kohë dhe të zhvillohen diskutime.
Kreu i PD, Sali Berisha iu drejtua kryeparlamentarit Niko Peleshi duke i thënë se po shkel ligjin.
“Të fillosh detyrën, duke shkelmuar kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde. Tregon se nuk je gjë tjetër vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama.
Shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit. Provokacion i ulët që i bëni opozitës dhe qytetarëve, akt i turpshëm. Çfarë e keni Kushtetutën, statutin e partisë së krimit që silleni në këtë mënyrë? Mblidhni Këshillin”, tha Berisha.
Sipas tij, “ne e dimë shumë mirë se këto ndryshime do të votohen, se këto ndryshime do të ndodhin, por kërkohet për të gjithë ata miliona shqiptarë që duhet të kenë Kushtetutën, librin mburojë të tyre nga një shtet, nga abuziviteti, por që për ju kjo është një prostitutë dhe nuk ka asnjë vlerë”.
Top Channel