
Në një lokal në hyrje të qytetit të Lushnjës reklamohej 6 muaj më parë pasurimi i shpejtë përmes dy posterave të afishuar që promovonin investimet në platformën mashtruese XUEX.
Top Channel ka siguruar dosjen hetimore se si u godit grupi që mashtronte qytetarët përmes piramidave online.
Në këtë lokal, që u bë pikënisja e hetimeve, agjentët trokitën si klientë dhe investitorë të gatshëm për t’u bërë pjesë e skemës. Të parët që dhanë informacione ishin kamerierët e arrestuar, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, por më pas në pranga ra edhe Arbër Çela, pronari i lokalit.
Kamerieri Taullau është personi që i tregon agjentit të policisë se për t’u bërë pjesë e skemës duhet të investosh të paktën 1 mijë euro.
Në dosje përmendet si organizator edhe Ereledio Shebeku, i shpallur në kërkim dhe që rezulton të jetë personi kyç që kontrollonte skemën. Në kontakt me agjentin e policisë, Ereledio kishte shprehur frikën për vijimin e aktivitetit pas denoncimit publik të bërë nga deputeti Erjon Braçe.
Agjentët e policisë faktuan me zë e figurë se komunikimet e skemës, që ka mashtruar qindra shqiptarë, bëheshin përmes platformës Telegram. Në momentin që investoje, bëheshe pjesë e grupit dhe arrije të komunikosh direkt me profesorin, një person i identifikuar si “Leo Smith”.
Ky i fundit i ftonte të gjithë anëtarët e grupit që të futen në këtë platformë në orën 14:20 dhe në orën 19:20 çdo ditë, duke i kërkuar që t’i bëjnë “like” faqeve që u dërgonte ky shtetas në aplikacionin Telegram. Kaq mjaftonte që paratë e investuara fillimisht të rriteshin 1% në ditë. Dhe brenda 45 ditësh, secili prej tyre mund t’i tërhiqte.
E përfshirë në këtë skemë rezulton të jetë edhe një punonjëse e Bashkisë së Divjakës, bashkë me familjarë të saj.
Nga hetimet rezulton se aplikacioni i XUEX nuk ekzistonte në App apo Play Store, por vinte si një aplikacion i bazuar në një link, që instalohej në telefon. Pasi kishe kaluar paratë në llogarinë e tyre, mund të hyje në grupin e Telegramit ku ishin të gjithë përdoruesit, gati për të rënë pre e mashtrimit.
Top Channel