
Shqipëria hap sot 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, të cilët u shtohen 24 kapitujve që janë hapur në 11 muaj.
Në një deklaratë për mediat në Bruksel, komisionerja e BE për zgjerim Marta Kos u shpreh se Shqipëria ka bërë një punë mjaft të mirë dhe ka ecur me hapa mbresëlënëse në çeljen e kapitujve, duke e inkurajuar që të vijojë me këtë ritëm.
Ajo tha se BE mbështet vizionin e Edi Ramës që Shqipëria të mbyllë procesin e negociatave brenda vitit 2027.
“Sfidat më të mëdha siç e thashë dhe më parë janë që nuk është e lehtë që të çelësh kapitujt, por është dhe më vështirë t’i mbyllësh dhe të kryesh reformat. Jemi të sigurt që jemi në rrugë të mbarë. Pra Shqipëria duhet të japë rezultate me reforma, duhet tashmë të sjellë gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që të jetë në gjendje të mbyllë kapitujt dhe sigurisht këtë po e bëjmë në ekip.
Vizioni i kryeministrit tuaj dhe i gjithë ekipit këtu është t’i përmbyllim negociatat në fund të 2027. E mbështesim këtë vizion, çka do të thotë që në momentin që kemi këtë kandidat kaq të zellshëm është dhe përgjegjësia nga ana jonë që t’i mbështesim me të gjithë energjinë dhe fuqinë njerëzore që kemi këtu në Bruksel dhe po kështu edhe në presidencë.”, u shpreh ajo.
Ndërkohë Marie Bjerre, ministre e Çështjeve Europiane e Danimarkës tha se bie dakord me komisioneren Kos, duke shtuar se “kur çelim grupkapitujt, pesë tashmë nga gjashtë brenda një kohe kaq të shkurtër, e kemi bërë këtë sepse kapacitetet administrative të Shqipërisë janë të gatshme që ndërkohë që ecim përpara, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”.
“Jam dakord me komisioneren Kos, por kur çelim grupkapitujt, pesë tashmë nga gjashtë brenda një kohe kaq të shkurtër, e kemi bërë këtë sepse kapacitetet administrative të Shqipërisë janë të gatshme që ndërkohë që ecim përpara, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së. Shqipëri, nuk keni vetëm vikingët nga ana juaj, keni të gjithë BE-në, të gjitha shtetet anëtare mbështetin ecjen përpara me Shqipërinë. Një e ardhme e BE-së me Shqipërinë është shumë e rëndësishme për të gjithë ne.”, tha ajo.
“Do të thoja diçka shumë të thjeshtë, që BE është bekim për një vend si i yni dhe për vende si i yni në rajon. Është një bekim që Afganistani apo Iraku apo të tjerë nuk e kanë pasur. Përmes BE ne mund të marrim të gjithë dijen për të ndërtuar institucionet, për të ndërtuar shtetin që jep e ofron për qytetarët e vet përtej individualiteteve apo personaliteteve të tyre dhe kjo është e jashtëzakonshme. Për ta bërë këtë BE të jep mjetet për të rishpikur veten si komb, për të rishpikur veten si vend dhe për të rishpikur veten si shtet. Në këtë proces besoj që BE na ka ndihmuar ne si shumicë të ri shpikim veten nëse duam të bëjmë këtë gjë dhe këto dy vite sfida do të jetë të rishpikim veten duke u afruar gjithmonë e më pranë në mënyrën tonë të të qenit me kërkesat ashtu si kërkesat e këtij grupkapitulli që janë jashtë mase të mëdha dhe që janë shumë sfiduese.
Mjedisi sot është një çështje tejet e ngutshme. Kërkesat janë sfiduese edhe për shtetet anëtare për të ruajtur standardet dhe të mbrojtur standardet. Sfida jonë është të rishpikim veten deri në fund dhe kjo është arsyeja pse e përmenda që tashmë kemi një ministri më vete vetëm për mjedisin, në një ekip që është rritur gjatë detyrës, me një ministër të ri i cili është negociatori nga pala jonë dhe tashmë i duhet edhe të gjejë dhe një negociator që ta shoqërojë. Dhe sigurisht kjo nuk do të ishte diçka që disa vjet më parë do ta kisha marrë në konsideratë por sot është shumë e qartë. Është një proces të mësuari për të gjithë ne. Duhet të jemi të përulur, të përkushtuar ndaj punës dhe duhet ta duam Europën me gjithë pasionin tonë e çdo presidencë të sajën me pasion, e çdo përfaqësues të presidencave përfaqësuese me pasion. Kjo është ajo çfarë duam të bëjmë!”, u shpreh kreu i qeverisë, Edi Rama.
Top Channel