“Anëtarësimi i merituar”/ Shqipëria merr garanci nga Hungaria për në BE, Begaj takohet me homologun Sulyok

16/09/2025 14:23

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nisi sot një vizitë zyrtare në Hungari, ku u prit nga homologu i tij Tamás Sulyok.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe bazuar në një miqësi historike, finalizimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, situata e sigurisë në rajon dhe në Evropë ishin në fokus të kësaj vizite.

Presidentët Begaj dhe Sulyok zhvilluan fillimisht takimin mes tyre dhe më pas bashkë me delegacionet përkatëse.
Kreu i Shtetit mori mbështetjen e plotë dhe të hapur të Hungarisë për finalizimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, rrugëtim të cilin e ka hapur Hungaria.

Presidenti Begaj i përcolli homologut të tij mirënjohje, duke u shprehur se Shqipëria nuk do ta harrojë këtë përkrahje të Hungarisë, e cila ka qenë e vendosur për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.
“Shpreha mirënjohje në takimin tonë ndaj Presidentit dhe Hungarisë mike për mbështetjen e fortë, të palëkundur dhe të pakushtëzuar që Hungaria jep për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ndihma teknike dhe ekspertiza e ofruar nga Hungaria për institucionet shqiptare ka kontribuar në forcimin e administratës publike dhe në zbatimin e reformave të rëndësishme”.

Në këtë aspekt, Presidentët Begaj dhe Sulyok theksuan rëndësinë e anëtarësimit në BE bazuar në meritë dhe Shqipëria, sipas Presidentit hungarez, e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë bisedës u konstatua, gjithashtu, intensifikimi i ndjeshëm i dialogut politik, që është një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari, ndërsa u shpreh bindja e përbashkët se kjo frymë do të vijojë duke dhënë rezultate të prekshme në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Presidenti i Republikës theksoi, ndër të tjera, ecurinë pozitive të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari dhe bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy vendeve në këtë vit të 103-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Shpreh bindjen se me këtë frymë miqësie të kësaj vizite të sotme dhe bashkëpunimi ynë, në të ardhmen më i thelluar, do të shtojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë, në të mirë të qytetarëve tanë, në dobi të stabilitetit e prosperitetit të rajonit dhe Evropës”.

Për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, Presidenti Begaj theksoi gjatë bisedës me homologun Sulyok se Shqipëria, me progresin e arritur, ofron mundësi të favorshme për investitorë të rinj hungarezë, veç atyre që janë prezent, të cilët ai i falënderoi që besuan të Shqipëria në një kohë kur pak kush besonte tek ajo.

Kreu i Shtetit shprehu vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe në sektorë të tjerë me rëndësi për qytetarët e dy vendeve.

Për sa i përket çështjeve të sigurisë, u shpreh angazhimi i përbashkët Shqipëri-Hungari si dy vende në NATO, për mbrojtjen kolektive dhe sigurinë Euroatlantike. “Presim të bashkëpunojmë ngushtë në kuadër të Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027”, – u shpreh Presidenti Begaj, ndërsa vlerësoi prezencën e Hungarisë në Kosovë, si një ndër vendet me më shumë trupa në KFOR.
Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e tij mbi rëndësinë që ka KFOR për sigurinë e rajonit, duke nënvizuar, në të njëjtën kohë, se Kosova dhe shqiptarët që jetojnë aty janë një prioritet i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës nxiti për shkëmbime më të shpeshta kulturore dhe arsimore, si një mundësi për të forcuar lidhjet midis dy vendeve mike.

 

Top Channel