Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Fier–Lushnje, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Vajkanit”.

Ngjarja ka përfshirë dy automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën me pasoja tragjike.

Fillimisht u raportua për tre persona të lënduar, të cilët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por mësohet se një prej tyre, shtetasja Marjana Kovaçi, rreth 60 vjeçe, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Forcat e policisë rrugore mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur izolimin e zonës dhe devijimin e qarkullimit, i cili për disa minuta u paralizua për shkak të grumbullimit të automjeteve në të dyja drejtimet. Aktualisht qarkullimi po zhvillohet me vështirësi, nën drejtimin e patrullave të policisë. Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti, ndërsa po merren në pyetje dëshmitarë që ndodheshin pranë momentit të përplasjes.

Burime spitalore bëjnë me dije se dy të lënduarit e tjerë ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore mbetet për t’u monitoruar. Identiteti i viktimës ende nuk është bërë publik, pasi autoritetet po ndjekin procedurat ligjore dhe njoftimin e familjarëve.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 12:20, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Vajkanit”, automjeti me drejtues shtetasin J. M., është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. M., 30 vjeçe, banuese në Laç.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë pasagjerja në automjetin që drejtohej nga shtetasja E. M., shtetasja M. K., rreth 60 vjeçe, si edhe kanë shkuar në spital për të kryer ekzaminimet, drejtuesja e automjetit dhe 2 pasagjerët e tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Top Channel