
Dy adoleshentë që urinuan në një tenxhere me lëng mishi në një restorant janë urdhëruar nga një gjykatë të paguajnë 2.2 milionë juanë (rreth 260,000 euro) për dy kompani furnizimi me ushqim në Kinë.
Sipas BBC, incidenti, i cili ndodhi shkurtin e kaluar në një degë të rrjetit të restoranteve Haidilao në Shangai, shkaktoi trazira pasi 17-vjeçarët ngarkuan në internet një video të aktit të tyre të neveritshëm.
Edhe pse nuk ka prova se dikush e ka konsumuar ushqimin, Haidilao ishte ofruar të kompensonte mijëra klientë që kishin ngrënë në restorant në ditët pas incidentit.
Në mars, Haidilao kërkonte më shumë se 23 milionë juanë dëmshpërblim, duke pretenduar se shuma përfshinte kompensimin që u kishte paguar klientëve për incidentin.
Të premten, një gjykatë e Shangait vendosi që adoleshentët kishin shkelur të drejtat dhe reputacionin e kompanive përmes “akteve fyese”, duke vënë në dukje se veprimet e tyre kishin kontaminuar enët dhe “shkaktuar pakënaqësi të fortë publike”. Gjykata gjithashtu i shpalli prindërit e adoleshentëve fajtorë për neglizhencë në mbikëqyrjen e tyre dhe i urdhëroi ata të paguanin kompensim, raportuan mediat shtetërore.
Nga shuma totale prej 2.2 milionë juanësh, 2 milionë janë kompensim për kompaninë për dëmtimin e funksionimit dhe reputacionit të saj, 130,000 janë kompensim për një kompani furnizimi me ushqime të gatshme për humbjen e enëve dhe kostove të pastrimit, dhe pjesa tjetër mbulon shpenzimet ligjore. Megjithatë, gjykata vendosi që çdo kompensim shtesë që Haidilao u ofroi klientëve të saj ishte rezultat i “vendimit të saj të biznesit” dhe, për këtë arsye, nuk duhet të mbulohet nga adoleshentët dhe familjet e tyre.
Haidilao ishte ofruar të kompensonte më shumë se 4,000 klientë që vizituan degën e Shangait midis 24 shkurtit dhe 8 marsit, duke ofruar një rimbursim të plotë dhe një shumë kompensimi ekuivalente me shumën e faturës së tyre shumëzuar me 10. Përveç kësaj, ajo zëvendësoi të gjitha pajisjet e tenxhereve të nxehta të degës dhe njoftoi se kishte kryer punime pastrimi dhe dezinfektimi.
Top Channel