Vrasja e Charlie Kirk/ Grupet transgjinore online nën vëzhgim, a e dinin ata se çfarë do të ndodhte?

15/09/2025 07:46

Hetimi për vrasjen e Charlie Kirk po merr dimensione të reja, ndërsa autoritetet federale në SHBA po shqyrtojnë mundësinë që komunitete online që mbështesin të drejtat transgjinore të kenë qenë në dijeni të planit vrasës të Tyler Robinson.

Sipas New York Post, qëllimi kryesor i autoriteteve është të përcaktojnë nëse autori i krimit ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë që mund ta kenë ndihmuar apo që kanë pasur dijeni për sulmin e planifikuar kundër themeluesit 31-vjeçar të Turning Point USA.

Për këtë arsye, po hetohen lidhjet e Robinson me grupe online dhe organizata të krahut të majtë në Utah. Hetimi përfshin edhe platformën e lojërave Steam, si dhe organizatën Armed Queers SLC, e cila mbylli llogarinë e saj në Instagram menjëherë pas vrasjes së Kirk.

Një sërë postimesh shqetësuese në rrjetet sociale – autenticiteti i të cilave ende nuk është konfirmuar – kanë ngritur dyshime serioze se individë të caktuar mund të kenë qenë në dijeni të planit të Robinson para se të ndodhte vrasja më 10 shtator.

Sipas New York Post, organizata Armed Queers SLC, logoja e së cilës përfshin dy plumba të ngjashëm me ato që goditën Kirk, kishte organizuar një leksion mbi “rezistencën queer” në shtator të vitit 2023, në Universitetin e Utah – vetëm 45 milje larg nga Utah Valley University, ku ndodhi vrasja e aktivistit konservator.

Fletëpalosjet promovuese të këtij eventi, i organizuar në bashkëpunim me organizatën studentore të majtë Mecha de U of U, përshkruanin një grua të re të armatosur me municion dhe një AK-47, me gishtin në këmbëz.

Në një intervistë vitin e kaluar, një zëdhënës i Armed Queers SLC kishte deklaruar se “angazhimi në luftën kundër racizmit, transfobisë dhe kapitalizmit është shumë më i rëndësishëm se çdo rrezik.”

Sipas burimeve, ka të dhëna se Robinson ishte i ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të majtë dhe grupe të ndryshme online. Gjithashtu, raportohet se ai ishte në një lidhje me një person transgjinor, i cili aktualisht po bashkëpunon me autoritetet.

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, deklaroi për CNN se hetuesit po shqyrtojnë nëse kjo marrëdhënie personale mund të ketë ndikuar në motivet e sulmit. “Është e qartë për ne se autori i krimit është një individ i ndikuar thellësisht nga ideologjia e krahut të majtë,” tha ai.

Charlie Kirk, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj trajtimeve hormonale për të miturit dhe pjesëmarrjes së grave transgjinore në sport, u qëllua në qafë gjatë një eventi në universitet, ndërsa po përgjigjej një pyetjeje për sulmet masive të kryera nga persona transgjinorë.

Autori i krimit, Tyler Robinson, u arrestua më 12 shtator, pas një kërkimi 33-orësh. Lajmin për arrestimin e tij e konfirmoi edhe Presidenti Donald Trump, i cili deklaroi në një paraqitje televizive: “E kapëm.”

Postime të dyshimta online – paralajmërime të fshehta para vrasjes

Ndërkohë, përdorues të rrjeteve sociale kanë zbuluar postime të dyshimta që duket se paralajmërojnë sulmin ndaj Kirk. Një postim i datës 9 shtator shkruante: “Charlie Kirk vjen në kolegjin tim nesër, shpresoj vërtet që dikush ta eliminojë.”

Një tjetër mesazh i po të njëjtit profil lexonte: “Diçka e madhe do të ndodhë nesër,” i shoqëruar me një meme. Pas vrasjes, profili reagoi sërish: “Kirk u qëllua, premtoj se nuk kisha të bëja fare me të.”

Gjithashtu, një video e postuar në TikTok, një ditë para ngjarjes, tregonte një person me kapelë mjekësore dhe tekstin:
“Charles James Kirk, i cili kishte lënë shkollën, nuk e di se çfarë e pret nesër. Ky nuk është një kërcënim, është një premtim.”

Top Channel