
Ushtria amerikane vrau tre persona në një tjetër sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje në ujërat ndërkombëtare rreth Amerikës së Jugut që dyshohet se “transportonte narkotikë të paligjshëm” nga Venezuela, tha presidenti Donald Trump në një postim në Truth Social.
“Këtë mëngjes, me urdhërin tim, Forcat Ushtarake Amerikane kryen një Sulm të DYTË Kinetik kundër karteleve të trafikimit të drogës dhe narkoterroristëve të identifikuar, jashtëzakonisht të dhunshëm në zonën e përgjegjësisë së SOUTHCOM. Sulmi ndodhi ndërsa këta narkoterroristë të konfirmuar nga Venezuela ishin në Ujërat Ndërkombëtare duke transportuar narkotikë të paligjshëm (NJË ARMË VDEKJEPRURËSE QË I HELMOI AMERIKANËT!) duke u drejtuar për në SHBA”, tha Trump.
“Këto kartele jashtëzakonisht të dhunshme të trafikimit të drogës PËRBËJNË NJË KËRCËNIM për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së, Politikën e Jashtme dhe Interesat Jetësore të SHBA-së. Sulmi rezultoi në 3 terroristë të vrarë në veprim. Asnjë Forcë Amerikane nuk u lëndua në këtë Sulm”, shtoi ai.
Njoftimi i së hënës vjen pak më pak se dy javë pasi ushtria amerikane vrau 11 individë në një sulm që dyshohet se ishte i lidhur me bandën venezueliane Tren de Aragua.
Sipas CNN, administrata Trump ka dhënë pak detaje në lidhje me veprimin. Kur u pyet për përgjigje disa ditë pas sulmit, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth nuk pranoi të jepte ndonjë hollësi dhe tha se SHBA-të kishin “autoritetin absolut dhe të plotë për ta kryer atë”.
Sulmi i dytë të hënën vjen mes tensioneve në rritje me Venezuelën, pasi SHBA-të kanë vendosur asete ushtarake në rajon, duke përfshirë Grupin Amfib të Gatshëm Iwo Jima dhe Njësinë e 22-të Ekspedicionare Detare, dhe 10 avionë luftarakë F-35 në Porto Riko.
Ministri i Jashtëm Venezuelian Yván Gil tha javën e kaluar se Venezuela “nuk po vë bast për konflikt” me SHBA-në, “as nuk do konflikt”.
Top Channel