Sherr mes palestinezëve dhe izraelitëve në Athinë, ndalohen pesë persona

15/09/2025 09:46

Sherr mes palestinezëve dhe izraelitëve raportohet të ketë ndodhur në Sindagma, Greqi.

Ngjarja nisi pasi dy turistë izraelitë po kryenin homazhe pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur në Sindagma. Tre shtetas me origjinë palestineze, duke dëgjuar çiftin izraelit duke folur, nisën t’i shanin, kërcënonin dhe më pas i goditën me shkopinj, të cilëve u ishin varur flamuj palestinezë.

29-vjeçari izraelit reagoi duke u përplasur me ta. Në përleshje u përfshi edhe gruaja e tij, 25 vjeçare, si dhe tre palestinezë të moshave 23, 25 dhe 27 vjeç.

Si pasojë e sherrit, 29-vjeçari izraelit dhe 27-vjeçari palestinez morën plagë dhe u dërguan në spital. Policia ndaloi të pestë personat e përfshirë në incident.

Rasti u bë viral pasi një turist publikoi pamjet, duke risjellë në vëmendje tensionet e përsëritura mes palestinezëve që jetojnë në Athinë dhe turistëve izraelitë dhe amerikanë, të cilët shpesh akuzohen nga palestinezët për situatën në Gaza.

Të ndaluarit pritet të dërgohen sot në gjykatë për masë sigurie.

Top Channel