“Rusia u përpoq të na testonte pa e nisur luftën’, ministri i jashtëm polak: Me një agresor si Putin, funksionon vetëm…

15/09/2025 12:11

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, konfirmoi se dronët që hynë në territorin polak javën e kaluar kishin kapacitet për të mbajtur municion, por nuk ishin të ngarkuar me eksplozivë.

“Është interesante që të gjithë ishin bosh, gjë që më sugjeron se Rusia u përpoq të na testonte pa nisur një luftë,” tha Sikorski për The Guardian në Kiev.

Ai hodhi poshtë sugjerimet se mbrojtja ajrore e Polonisë kishte qenë e papërgatitur për shkeljen, duke pasur parasysh faktin se disa prej dronëve udhëtuan qindra kilometra në territorin polak dhe raportimet tregojnë se vetëm tre ose katër nga rreth 19 u rrëzuan.

“Dronët nuk arritën objektivat e tyre dhe pati vetëm dëme të vogla materiale, askush nuk u lëndua. Nëse kjo do të kishte ndodhur në Ukrainë, sipas përkufizimeve ukrainase, do të konsiderohej si një sukses 100%,” u shpreh ai.
Sikorski theksoi se reagimi i Polonisë do të kishte qenë “shumë më i ashpër” nëse sulmi i javës së kaluar do të kishte shkaktuar viktima apo të plagosur në territorin e saj, por nuk pranoi të japë detaje se si mund të dukej një përgjigje e tillë në të ardhmen. “Me një agresor dhe gënjeshtar si Putini, funksionojnë vetëm kundërpresionet më të forta,” tha ai.

Ai shtoi se shpreson që Donald Trump të marrë Çmimin Nobel për Paqe nëse arrin të sigurojë “një paqe të drejtë” në konflikt, të cilën e përshkroi si “Ukrainë brenda kufijve të mbrojtshëm dhe një Ukrainë që integrohet në Perëndim”.

Kur iu sugjerua se Trump deri tani nuk ka treguar shumë shenja se po ushtron presion mbi Putinin për të pranuar një rezultat të tillë, ai tha: “Ai ka stilin e tij personal, ne e respektojmë, por do ta gjykojmë nga rezultatet.”
Polonia ka deklaruar se nuk do të kontribuojë me trupa në një mision të tillë dhe Sikorski, duke folur në një konferencë në Kiev, paralajmëroi kundër retorikës së tepruar lidhur me garancitë e ardhshme.

“Garancitë e sigurisë kanë për qëllim të dekurajojnë një kundërshtar potencial. Pra, ajo që po themi është se nëse ka ndonjë lloj paqeje, herën tjetër që Rusia provon diçka kundër Ukrainës, ne mund të hyjmë në luftë me Rusinë. Tani, unë nuk e shoh këtë shumë të besueshme. Sepse nëse do të donit të nisnit një luftë me Rusinë, mund ta bënit sot, dhe nuk shoh vullnetarë. Nuk ka asgjë më të rrezikshme në marrëdhëniet ndërkombëtare sesa të japësh një garanci që nuk është e besueshme,” tha ai.

Top Channel