Presidenti i përgjigjet kërcënimeve të Trump pas dënimit të Bolsonaros: Demokracia dhe sovraniteti i Brazilit nuk negociohen

15/09/2025 18:44

Gjyqi i ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, “nuk ishte një gjueti shtrigash”, shkroi presidenti, Luiz Inacio Lula da Silva në një artikull në New York Times, duke iu përgjigjur komenteve provokuese të homologut amerikan, Donald Trump.

Në reagimin e tij të parë ndaj dënimit me 27 vjet burg të rivalit të tij të ekstremit të djathtë, Lula tha se ishte “krenar për vendimin historik të Gjykatës Supreme të Brazilit”.

“Demokracia dhe sovraniteti i Brazilit nuk janë të negociueshme”, e titulloi artikullin e tij Lula, i cili po përballet me një krizë diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Donald Trump, duke thënë se ishte “shumë i befasuar” nga dënimi kundër udhëheqësit të tij të dashur të ekstremit të djathtë të Brazilit.

Trump e ka ndëshkuar Brazilin duke vendosur tarifa prej 50% për shumë nga produktet e tij, ndërsa sanksionet e SHBA-së janë vendosur ndaj disa gjyqtarëve të Gjykatës Supreme për trajtimin e tyre ndaj Bolsonaros, i cili u dënua javën e kaluar për udhëheqjen e një komploti për të parandaluar Lulën, fituesin e zgjedhjeve të vitit 2022, të merrte pushtetin.

“Vendimi është rezultat i procedurave të kryera në përputhje me Kushtetutën Braziliane të vitit 1988, e cila hyri në fuqi pas dy dekadash lufte kundër një diktature ushtarake”, shkroi Lula.

“Një hetim shumëmujor zbuloi plane për të më vrarë mua, si dhe zëvendëspresidentin dhe një gjyqtar të Gjykatës Supreme”, shkruan Lula.

Gjyqësori brazilian e shpalli Bolsonaron fajtor për nxitjen e trazirave të 8 janarit 2023 dhe sulmet ndaj ndërtesave shtetërore dhe qeveritare në Brasilia.

Dhe kjo i kujtoi Donald Trump rolin e tij në sulmin e mbështetësve të tij në Kapitol më 6 janar 2021. “Ky gjyq më kujton atë që ata u përpoqën të më bënin”, tha ai, duke iu referuar ndjekjes penale kundër tij.

Ashtu si Trump, Bolsonaro e konsideron veten një “viktimë të persekutimit” dhe mbrojtja e tij njoftoi se do të paraqesë një apel në Gjykatën Supreme dhe institucionet ndërkombëtare.

Për momentin, ai është nën arrest shtëpiak.

Top Channel