“Ndryshimin e numrit të komisioneve e kam kërkuar para 4 vitesh”, Balla: Integrimin duhet ta drejtojë maxhoranca

15/09/2025 13:42

Kreu i grupit parlamentar i PS Taulant Balla foli para mediave pas mbylljes së mbledhjes me opozitën dhe kreun e Kuvendit.

Sa i përket kërkesës së PS për zgjerimin e Komisioneve Parlamentare në 11 nga 8 aktualisht, dhe kalimin e tyre nesër për shqyrtim në seancën e Parlamentit, Balla tha se në këtë rast nuk ka nevojë që të njoftohet para Kuvendi, pasi është një çështje me rëndësi ajo e riorganizimit.

Balla tha se ndryshimin e numrit të komisioneve e ka kërkuar para katër viteve, ndërsa shtoi se Komisionin e Integrimit duhet ta drejtojë PS, dhe jo opozita.

“Në Shqipëri Kuvendi duhet të ketë një organizim të ri me 11 Komisione. Jemi në një situatë e cila nuk është shumë e parashikuar nga Rregullorja.

Brenda kësaj javë duhet shqyrtim i dekreteve për qeverinë, dhe konferenca e kryetarëve duhet të jetë gati për diskutimin e kohës së debatit. Është domosdoshmëri të kalojmë këtë etapë të parashikuar nesër.

Për një çështje me rëndësi të riorganizimit të Kuvendit nuk ka nevojë për njoftim, bëhet fjalë për shqyrtim jo periudhë depozitim”, tha Balla.

Top Channel