“Mos më kërkoni të vajtoj për burrat e bardhë që…” / Gazetarja e ‘Washington Post’ pushohet nga puna pas deklaratave të forta për Charlie Kirk

15/09/2025 18:53

Gazetarja dhe opinionistja e njohur Karen Attiah është pushuar nga puna në “The Washington Post”, pas më shumë se një dekade në këtë institucion prestigjioz.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Attiah në rrjetet sociale, duke deklaruar se u shkarkua për shkak të qëndrimeve të saj kundër dhunës politike, standardeve të dyfishta racore dhe apatisë amerikane ndaj armëve të zjarrit.

Attiah ishte një nga zërat më të dallueshëm në Departamentin e Opinioneve të gazetës, dhe sipas saj, shkarkimi erdhi pas një sërë postimesh që ajo bëri pas vrasjes së Charlie Kirk, një figurë e njohur e së djathtës amerikane.

Në postimet e saj, Attiah kritikoi retorikën bosh që dënon dhunën politike, por që, sipas saj, nuk shoqërohet me veprime reale për ta ndaluar atë.

Ajo shkroi se: “Një pjesë e asaj që e mban Amerikën kaq të dhunshme është këmbëngulja për të shfaqur kujdes dhe mirësi boshe ndaj burrave të bardhë që përhapin urrejtje dhe dhunë.”

Ajo nuk e përmendi Kirk me emër, por iu përgjigj një komenti duke thënë se refuzimi për të bërë “zi publike teatrale” për dikë që kishte promovuar dhunë nuk është e njëjtë me aktin e dhunës.

Washington Post nuk ka bërë koment zyrtar për largimin e Attiah, duke u justifikuar me politikat mbi çështjet e brendshme të stafit. Megjithatë, biografia e saj në faqe është ndryshuar dhe tani e përshkruan si një ish-kolumniste, gjë që konfirmon shkarkimin.

Attiah shkroi në një postim në blog se gazeta e kishte akuzuar për “sjellje të papranueshme”, “shkelje të rëndë” dhe “rrezikim të sigurisë fizike të kolegëve”, akuza të cilat ajo i mohon kategorikisht.

“Këto janë pretendime pa prova dhe tërësisht të pavërteta,” – shkruan ajo.

Largimi i Karen Attiah vjen në një kohë kur departamenti i Opinioneve në Washington Post është në tronditje të thellë. Nën drejtimin e pronarit Jeff Bezos, gazeta po kalon një ristrukturim të plotë editorial.

Bezos deklaroi më herët këtë vit se vizioni i tij për gazetën është të mbrojë përditë “liritë personale” dhe “tregjet e lira”. Kjo ka sjellë edhe largimin e shumë kolumnistëve të njohur, ndërsa së fundmi është emëruar edhe një opinion editor i ri, Adam O’Neal, me qëllim për ta drejtuar seksionin drejt një kursi më konservator.

Në postimin e saj, Attiah theksoi se ishte gazetarja e fundit me ngjyrë që mbante një pozitë të përhershme në seksionin e opinioneve të Washington Post, në një nga rajonet më të ndryshme etnikisht në SHBA.

“Të jem zëri i fundit i zi në një redaksi që flet për gjithë vendin – kjo është simbolike për atë që po ndodh në gazetari,” – shkroi ajo.

Largimi i saj vjen gjithashtu mes presionit të shtuar nga aktivistë konservatorë, të cilët kanë bërë thirrje për shkarkimin e personave që kanë komentuar në mënyrë kritike apo indiferente për Charlie Kirk pas vrasjes së tij. Në rrjetet sociale, komentet e shumta kanë variuar nga trishtimi, tek kritika dhe deri te festimi i vdekjes së tij, duke ndezur një debat të gjerë për lirinë e shprehjes dhe përgjegjësinë në gazetari.

Top Channel