
Ukrainës do t’i duhen të paktën 120 miliardë dollarë për mbrojtjen e saj në vitin 2026, teksa lufta me Rusinë ka hyrë në vitin e katërt: deklarata i takon ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Denys Shmyhal, i cili theksoi se financimi është thelbësor për të mirëmbajtur linjat mbrojtëse, për të prodhuar më shumë dronë dhe armë të tjera, për të mbrojtur qiellin dhe për të penguar çdo agresion të mëtejshëm rus.
“Ekonomia e luftës tregon se nëse shpenzojmë më pak para se Rusia, atëherë do të fillojmë të paguajmë me territoret tona dhe, më e rëndësishmja, me jetën tonë“, shprehet Denys Shmyhal, ministër ukrainas i mbrojtjes.
Shpenzimet e mbrojtjes së Ukrainës u rritën ndjeshëm pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022 dhe tani ajo shpenzon më shumë se 31% të produktit të saj të brendshëm bruto për ushtrinë e saj. Kryetarja e komisionit parlamentar të buxhetit, Roksolana Pidlasa, pohoi dhe ajo se kostot e luftës kanë vazhduar të rriten. Sipas saj, në 2025, një ditë lufte kushtoi 172 milionë dollarë krahasuar me rreth 140 milionë dollarë në vitin 2024. Kjo përfshinte pagat e ushtarëve, armët dhe pagesat për ata që u plagosën ose u vranë në fushën e betejës. “Pra, ne duhet të mbledhim fonde për të gjitha burimet e nevojshme, të gjitha paratë e nevojshme“, ishte komenti i saj.
Lufta me Rusinë ka njohur një përshkallëzim të ri muajt e fundit me luftime të ashpra që zhvillohen përgjatë më shumë se 1,000 km të vijës së frontit dhe trupat ruse që rrisin sulmet e tyre ajrore në qytete dhe qyteza ukrainase shumë larg saj, ndërsa përpjekjet diplomatike për fundin e konflikti nuk kanë dhënë rezultate të prekshme.
Top Channel