Krizë e rëndë në blegtorinë greke, murtaja dhe lija rrezikojnë prodhimet vendase

15/09/2025 11:20

Blegtoria në Greqi po kalon një nga krizat më të rënda të dekadave të fundit, për shkak të shpërthimit të dy sëmundjeve tepër të rrezikshme, murtajës dhe veçanërisht lisë së dhenve dhe dhive.

Këto sëmundje ngjitëse të kafshëve, të njohura si zoonoza, kanë shkaktuar humbje masive, duke detyruar autoritetet të vendosin karantinë në disa rajone, kryesisht në Thesali dhe Maqedoninë Lindore.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë së Greqisë, vetëm gjatë 12 muajve të fundit janë therur mbi 300 mijë krerë bagëti të imta, prej të cilave rreth 263 mijë si pasojë e lisë dhe 38 mijë nga murtaja. Vetëm në 40 ditët e fundit, humbjet nga lija kanë arritur në mbi 100 mijë krerë, ndërsa që nga fillimi i vitit janë regjistruar 165 mijë humbje, që përbëjnë rreth 3.3% të tufës kombëtare.

Kjo situatë po rrezikon seriozisht prodhimin e qumështit, ndërkohë që përfaqësues të fermerëve paralajmërojnë se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, deri në fund të dimrit edhe produktet bazë si kosi mund të kthehen në luks.

Industria e përpunimit të qumështit ka ngritur alarmin, duke deklaruar se përhapja e pakontrolluar e lisë rrezikon furnizimin me lëndë të parë dhe prodhimin e djathit feta, një nga produktet më të rëndësishme tradicionale të Greqisë.

Fermerët kanë bërë publike kërkesat e tyre:

-Mbështetje ekonomike të menjëhershme

-Kompensim i plotë për kafshët e humbura;

-Masa të forta për ndalimin e përhapjes së sëmundjes.

Aktualisht, dëmshpërblimi për kafshët e therura llogaritet nga 250 deri në 500 euro për kokë, ndërsa deri më tani janë shpërndarë mbi 30 milionë euro, me pritshmëri për fonde shtesë.

Fermerët kanë paralajmëruar protesta masive në Kardhicë, duke theksuar se kjo nuk është një lëvizje simbolike, por një betejë për mbijetesë. Përveç humbjes së tufave, më shumë se 1.000 blegtorë kanë mbetur pa punë.

Zgjidhja? Vaksinimi – por problemi është i thellë

Sipas ekspertëve, vaksinimi i kafshëve konsiderohet aktualisht si e vetmja rrugëdalje, por situata është shumë më e ndërlikuar. Virusi i lisë mund të mbijetojë në mjedis deri në gjashtë muaj, ndërsa mungesa e kontrolleve kufitare, e shërbimeve veterinare dhe e hapësirave të përshtatshme për groposjen e kafshëve të ngordhura ka ndikuar në përhapjen më të gjerë të sëmundjes.

Përballë kësaj krize të thellë, kërkohet bashkëpunim i ngushtë mes shtetit, pushtetit vendor dhe vetë fermerëve. Në të kundërt, e ardhmja e blegtorisë greke dhe e prodhimeve të saj tradicionale vihet seriozisht në pikëpyetje.

Top Channel