“Isha unë”/ Vrasësi i Charlie Kirk pranoi krimin në një bisedë online para se të dorëzohej: Më vjen keq për gjithçka

15/09/2025 22:04

Tyler Robinson, i dyshuari për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen në një bisedë online para se të dorëzohej pranë autoriteteve, raportojnë mediat.

Robinson, i cili u arrestua të enjten vonë në mbrëmje, ishte pjesë e një grupi të vogël miqsh në Discord kur shkroi: “Hej të gjithëve, kam lajme të këqija për ju. Ishte unë në UVU dje. Më vjen keq për gjithçka.”

Ai po mbahet në paraburgim në Utah, ku akuzohet për vrasje të rëndë dhe pritet të dalë para gjykatës të martën. Robinson mund të përballet me akuza për vrasje kapitale që në Utah parashikojnë edhe dënimin me pushkatim.

Hetuesit zbuluan se Robinson përdori një snajper për të qëlluar Kirk me një plumb në qafë ndërsa aktivisti konservator mbante një fjalim në kampusin e Utah Valley University. Pas një kërkimi intensiv prej 33 orësh, ai u arrestua të enjten.

Informacione të mëtejshme zbuluan se Robinson vinte nga një familje republikane në St. George, një qytet shumë konservator rreth katër orë larg Orem. Ai ishte në vitin e tretë të një stazhi si elektricist dhe në rrjetet sociale shfaqej me armë, si dhe kishte bërë fotografi për Halloween ku duket se qëndron mbi shpatullat e Trump.

Sipas hetuesve, Robinson ushqente urrejtje për Kirk dhe ishte influencuar nga ideologji të majta, të cilat kishin rritur radikalizmin e tij në vitet e fundit. Ai jetonte me një partner transgender, i cili nuk ka lidhje me krimin dhe po bashkëpunon me autoritetet.

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, tha se Robinson kishte kaluar shumë kohë duke kërkuar në “cepave të errët të internetit” dhe ishte radikalizuar shpejt. Ai theksoi gjithashtu se në fishekët që u përdorën nga Robinson ishin gjetur shënime me mesazhe si “Hej, fashist! Kap!” dhe “Bella ciao” – një këngë anti-fashiste nga Lufta e Dytë Botërore, e përdorur rishtazi në disa komunitete online.

FBI dhe autoritetet lokale po vazhdojnë hetimet, ndërsa Discord ka konfirmuar bashkëpunimin me ta, megjithëse një hetim i brendshëm nuk ka gjetur prova që Robinson kishte planifikuar apo promovuar dhunë në platformë.

FBI-ja ka konfirmuar se ADN-ja e gjetur në një peshqir të lidhur rreth armës së përdorur për vrasjen i përket Robinson, si dhe ADN-ja nga një shufër e gjetur në çatinë ku u qëllua Kirk përputhet me të.

Përpara se të kryente vrasjen, Robinson kishte shkruar në një shënim se do të vepronte kundër Kirk, sipas FBI-së, e cila po heton gjithashtu për motivet dhe për lidhjet e tij.

Në gjithë vendin vazhdojnë homazhet për Kirk, me mijëra njerëz që kanë bërë homazhe dhe momente heshtjeje, përfshirë dhe një vigjil në Kennedy Center në Washington.

Charlie Kirk është themelues i Turning Point USA, organizatë që promovon pikëpamjet konservatore tek të rinjtë, duke përdorur fuqishëm mediat sociale dhe prezencën në televizion për të mbështetur qëndrimet e tij politike.

Top Channel