Horror në brigjet e Portugalisë, balenat vrasëse sulmojnë dhe përmbysin anijen e turistëve

15/09/2025 20:56

Turistët përjetuan momente tmerri në brigjet e plazhit Fonte da Telha në Portugali, kur një tufë balenash vrasëse ose ndryshe te njohura me emrin orka, sulmuan papritur dhe fundosën varkën në të cilën ndodheshin.

Incidenti i tmerrshëm ndodhi të shtunën, kur varka me vela, e cila i përkiste klubit Nautic Squad dhe mbante pesë persona, u shënjestrua nga orkat, sipas Daily Mail.

Në videon e tmerrshme të publikuar në media, shihet varka duke u zvarritur nga sulmet e dhunshme të balenave që goditën varkën me vela.

Pastaj, varka fillon të anojë dhe të fundoset ngadalë. Për fat të mirë, të gjithë ata që ishin në bord u shpëtuan në kohë nga varkat turistike aty pranë, përpara se të mbërrinin rojet bregdetare.

Po atë mëngjes, një varkë e dytë në Cascais, me katër persona në bord, hasi të njëjtën cekëtinë. Për fat të mirë, edhe ekuipazhi u shpëtua.

Roja bregdetare portugeze konfirmoi se asnjë prej atyre që ishin në bord nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore, por shqetësimi për sulmet e balenave në rajon po rritet.

Që nga viti 2019, janë regjistruar më shumë se 500 sulme, ndërsa sjellja e balenave vrasëse, që zakonisht përfshin goditjen e timonit të anijeve, është bërë më e shpeshtë dhe agresive.Sipas ekspertëve, balenat vrasëse duket se po zhvillojnë një sjellje të re.

Autoritetet po i paralajmërojnë marinarët të jenë tepër të kujdesshëm, veçanërisht në ujërat e cekëta, ku sulmet duket se po bëhen më të shpeshta dhe të rrezikshme.

Top Channel