
Aktori britanik Owen Cooper, vetëm 15 vjeç, ka bërë histori duke u shpallur fituesi më i ri djalë ndonjëherë i një çmimi Primetime Emmy, për rolin e tij në serialin dramatik të Netflix, Adolescence.
Ai fitoi çmimin për aktorin më të mirë mbështetës në një serial të kufizuar, për portretizimin e një adoleshenti të akuzuar për vrasje.
Drama katër-pjesëshe Adolescence dominoi ceremoninë e Emmy-ve të 77-ta, duke fituar gjithashtu çmimet për serialin më të mirë të kufizuar, regjinë, skenarin, si dhe çmime aktrimi për Stephen Graham dhe Erin Doherty.
Në një fjalim emocional, Cooper tha: “Unë nuk isha asgjë tre vjet më parë, dhe tani jam këtu. Çdo gjë është e mundur nëse del nga zona jote e rehatisë.” Ai falënderoi familjen, ekipin e prodhimit dhe kolegët e tij, duke theksuar: “Ky çmim u përket njerëzve pas kameras.”
Stephen Graham, i cili fitoi çmimin për aktorin më të mirë protagonist, theksoi ndikimin që mund të ketë përfaqësimi, ndërsa Erin Doherty e quajti projektin “një përpjekje të vërtetë ekipore.”
Ndërkohë, komedia The Studio theu rekordin për më shumë çmime të fituara ndonjëherë nga një komedi në një sezon të vetëm, me 13 trofe në total, përfshirë çmimin për aktorin më të mirë komik për Seth Rogen.
Drama The Pitt fitoi si seriali më i mirë dramatik, me çmime aktrimi për Noah Wyle dhe Katherine LaNasa, ndërsa thrilleri Severance u vlerësua me çmime për Tramell Tillman dhe Britt Lower.
Stephen Colbert, pak javë pas anulimit të The Late Show, fitoi çmimin për serialin më të mirë për biseda, duke falënderuar stafin dhe duke bërë shaka për kërkimin e një pune të re.
Ceremonia u shënua edhe nga një nismë bamirësie, ku prezantuesi Nate Bargatze njoftoi një donacion prej 250,000 dollarësh për The Boys & Girls Clubs of America, të lidhur me kohëzgjatjen e fjalimeve të fituesve.
Top Channel