
Torino ka marrë një fitore të madhe në transfertë ndaj Romës, në përballjen e vlefshme për javën e tretë të Serie A, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në “Olimpico”.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 59-të nga Simeone, duke i dhënë Torinos tre pikë me shumë vlerë ndaj një rivali të fortë.
Në këtë ndeshje, dy yjet e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani dhe Ardian Ismajli, ishin titullarë për miqtë.
Për mbrojtësin Ardian Ismajli, kjo ishte ndeshja e parë si titullar me fanellën e Torinos, pasi dy sfidat e para të sezonit i humbi për shkak dëmtimi. 28-vjeçari u vendos në qendër të mbrojtjes dhe dha sinjale pozitive, edhe pse në minutën e 38-të krijoi shqetësim në pankinën e Torinos, teksa u shtri në fushë dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor. Pas ndërhyrjes së shpejtë, Ismajli arriti të rikthehej në fushë dhe e mbylli pjesën e parë, që përfundoi pa gola.
Ndërkohë, Kristjan Asllani vazhdoi të konfirmojë formën e tij të mirë, duke zhvilluar 80 minuta solide në mesfushë. Regjisori kuqezi po tregon gjithnjë e më shumë siguri në dirigjimin e lojës dhe duket se ka fituar besimin e trajnerit.
Fitorja në “Olimpico” ndaj Romës i jep Torinos një shtysë të madhe në këtë fillim sezoni, sidomos duke pasur parasysh se luante përballë një ekipi të ndërtuar për zonën Champions.
Top Channel