Derbi i çmendur i Italisë/ Tre supergola dhe dy vëllezër që tundin rrjetën, Juventusi mund Interin mes spektaklit në Torino

13/09/2025 19:59

Derbi i parë i Italisë për sezonin 2025/26 dhuroi spektakël të madh dhe emocione deri në minutat e fundit.

Juventus mundi Interin pas një fitore të çmendur 4-3 në Torino, një sfidë ku u veçuan tre gola spektakolarë dhe ku historia u shkrua edhe nga dy vëllezër që tundën rrjetën.

Sfida nisi me ritëm të lartë dhe pas vetëm 14 minutash, Kelly kaloi Juven në avantazh, por vetëm pak më vonë Hakan Calhanoglu u përgjigj me një goditje të fortë në hyrje të zonës për barazimin 1-1. Para pushimit, ishte ylli i ri i bardhezinjve, Kenan Yildiz, që riktheu avantazhin me një tjetër supergol, duke çuar pjesën e parë 2-1 për Juventusin.

Pjesa e dytë solli një tjetër shpërthim emocionesh. Calhanoglu, i papërmbajtshëm, realizoi një tjetër supergol në minutën e 65’ për të vendosur baraspeshën 2-2. Vetëm pak minuta më pas, Marcus Thuram shënoi për 2-3, duke i dhënë avantazhin Interit. Por në minutën e 83’, vëllai i tij, Khéphren Thuram, barazoi shifrat në 3-3 pas një aksioni të Yildiz, duke e bërë këtë derbi edhe më special.

Në fund ishte ai që më pak pritej, Adzic, i cili kishte vetëm disa minuta që ishte futur nga stoli për t’i dhënë tri pikët bardhezinjve.

Kështu Juventus kryeson tabelën me 9 pikë të plota pas tre javësh në Serie A, ndërsa Interi vijon me tre pikë.
Rezultati final:

Juventus 4-3 Inter
Kelly 14’, Yildiz 38’, K. Thuram 83’, Adzic 90+1’/ Calhanoglu 30’, 65’, M. Thuram 76’

Top Channel