Zbulohet testamenti i dytë sekret i Giorgio Armanit/ Nga dhëmbët e elefantit te milionat në obligacione qeveritare, si ndahet perandoria e “Mretit” të modës

12/09/2025 22:05

Më 9 shtator 2025, në Milano u hap dhe u bë publik testamenti i dytë sekret i Giorgio Armani-t, hartuar më 2 prill të po këtij viti.

Dokumenti i hollësishëm përcakton me kujdes ndarjen e pasurisë së stilistit ikonë, përfshirë aksione, obligacione, pasuri të paluajtshme dhe objekte personale, duke ndarë trashëgiminë midis anëtarëve të ngushtë të familjes, bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe personave të besuar.

Aksionet dhe pasuria financiare: ndarje me përpikmëri

Armani i ka lënë 101,000 aksione të EssilorLuxottica-s (vlerë mbi 26 milionë euro) bashkëpunëtorit të tij të afërt, Michele Morselli. Pesë bashkëpunëtorë të tjerë marrin secili nga 7,500 aksione, ndërsa pjesa tjetër ndahet 40% për Leo Dell’Orco dhe 60% për anëtarët e familjes, me rrumbullakime në favor të Andrea dhe Silvana Armani, për të shmangur pronësinë e përbashkët.

Në ndarjen e fondeve, 40% i shkon sërish Leo Dell’Orcos, ndërsa 60% ndahet midis anëtarëve të familjes.

Obligacionet BTP dhe kushte të veçanta për përfituesit

Morselli përfiton dy paketa të mëdha obligacionesh BTP: një me vlerë nominale 2.07 milionë euro dhe një tjetër prej 30 milionë euro. Por ka një kusht: ai duhet ta kalojë vlerën e një police sigurimi vajzës së tij Bianca mes moshës 25–30 vjeç.

Të tjerë bashkëpunëtorë, si Elisa Di Ceglia, Angelo Bonsignore dhe Graeme Leslie Black marrin obligacione me vlera nga 480,000 deri në 935,000 euro.

Pasuritë e paluajtshme në Itali dhe jashtë saj: nga Milano në Antigua

Në testament përfshihen edhe pasuritë e paluajtshme, të shpërndara me kujdes mes familjarëve dhe bashkëpunëtorëve:

Shën Moritz: Andrea Camerana merr pronësinë e zhveshur, ndërsa Leo Dell’Orco merr të drejtën e uzufruktit.

New York: Një apartament i kalon Leos dhe tjetri Rosannës, Silvanës dhe Andreas. Familja Morselli mund t’i përdorë për qëndrime të përkohshme.

Paris dhe Saint-Tropez: Silvana merr apartamentin parizian, ndërsa Leo përfiton vilën në Saint-Tropez.

Antigua, Broni, Pantelleria: Leos i takon vila e madhe në Antigua, ndërsa në Pantelleria prona do të jetë në dispozicion të familjes, përfshirë Morsellin për dy javë çdo vit.

Mobilje, objekte arti dhe kuriozitete: një ndarje me kujdes dhomë më dhomë

Armani ka ndarë objektet personale me detaje të jashtëzakonshme, duke specifikuar kush merr çfarë në çdo kat të vilës së tij në Milano. Nga veprat e dizajnit italian tek pikturat e Matisse dhe Warhol, mobiljet e lakmuara shpërndahen mes bashkëpunëtorëve dhe familjarëve, me disa të destinuara për Fondacionin Giorgio Armani.

Roli i Fondacionit dhe trashëgimtarëve kryesorë

Trashëgimia e Armanit nuk ndahet vetëm në vlera monetare. Andrea Camerana, nipi i stilistit, shfaqet si një nga trashëgimtarët kryesorë, bashkë me Leo Dell’Orco dhe Michele Morselli, i cili përfiton mbi 60 milionë euro në aksione, obligacione dhe pronësi përdorimi.

Fondacioni Giorgio Armani mbetet një nga shtyllat qendrore të testamentit, me synim ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe artistike të stilistit.

Top Channel