
“Për shqiptarët”, programi i emocioneve në Top Channel rikthehet këtë të premte në mbrëmje, me sezonin e ri.
Nën moderimin e Bora Zemanit, “Për shqiptarët” do të vazhdojë t’u japë zë familjeve në nevojë e në veçanti fëmijëve, për t’u rikthyer shpresën dhe ëndrrat e shuara.
“Me emocionet, më duket njësoj si herën e parë, sepse është një program i mbushur me emocione. Ka histori njerëzore shumë të forta, janë të dhimbshme, por janë edhe frymëzuese. Na bëjnë shumë të reflektojmë. Përballja me njerëzit që nuk kanë asnjë lloj lodhje me televizionin, janë pa filtra fare për të treguar realitetin e hidhur që jetojnë vetë dhe ‘Për Shqiptarët’ i jep zërin që kanë shumë nevojë dhe pastaj i vijnë në ndihmë të gjithë shqiptarët e saj”, u shpreh Bora Zemani.
Për shqiptarët, nuk është thjesht një spektakël televiziv, por një mision për të për të shpëtuar jetë, për të strehuar një familje, për të dhënë kurajë. Angazhimi i Fondacionit Firdeus në bashkëpunim me Top Channel, vazhdon edhe në këtë sezon televiziv.
“Ky është një mision, një mision i një jete të tërë. Jeta ka të papriturat e veta, çdokush mund të përballet me vështirësi të tilla. Falë Top Channel, ne po sjellim edhe zërat që janë diku në harresë dhe kur vijnë në TCH, marrin të gjithë botën brenda. Misioni i Fondacionit Firdeus, bashkë me Top Channel, sot mund të thotë me krenari për 300 fëmijë të shpëtuar, me qindra fëmijë jetimë që janë bërë me shtëpi“, tha Ilir Hoxholli nga Fondacioni Firdeus.
Çdo të premte në orën 21:00, “Për shqiptarët” do të mbajë mbërthyer shikuesit me historitë frymëzuese të personazheve, surprizave dhe të papriturave.
Top Channel