Ekspozita 4 mln euro, automjetet e rralla të koleksionistëve italianë në Gjirokastër

12/09/2025 12:50

20 automjete prodhim i fillimit dhe mesit të shekullit të kaluar, në pronësinë e koleksionistëve italianë, u ekspozuan në zonën historike.

Mjetet e rralla me vlerë gati 4 milionë euro tërhoqën qindra vizitorë dhe turistë që kishin udhëtuar enkas për ti parë. Me pjesëmarrjen e pilotëve nga Shqipëria dhe Italia, ky aktivitet shënoi një event ndryshe në kalendarin e vjeshtës.

“Ndodhemi këtu në Shqipëri për një tur 10-ditor për të njohur vendin tuaj. Unë personalisht disponoj një makinë të tillë të vitit 1954 dhe ishte kënaqësi e veçantë që e prezantova në këtë aktivitet”, tha një vizitore italiane.

“Disponoj një automobil tip ‘Fiat Topolino’ të vitit 1950, e kemi trashëgimi në familje nga babai, kjo makinë ka qenë pjesë e jetës sime dhe ishte një kënaqësi e veçantë që e prezantova në këtë ekspozitë retro këtu në Gjirokastër, emocion i veçantë edhe vizita në këtë qytet të mrekullueshëm dhe me njerëz mikpritës”, u shpreh një tjetër vizitor.

“Automjetin që kam sjellë në këtë ekspozitë e kam blerë para 10 vitesh dhe është një ‘Fiat Topolino’ prodhim i 1954, tashmë është pjesë e familjes sime, dëshiroj të vlerësoj edhe çeljen e kësaj ekspozite në Gjirokastër, me të vërtetë një aktivitet shumë i bukur”, tregoi një nga të pranishmit.

Vetë anëtarët e klubit të koleksionistëve thanë se tashmë pjesëmarrja në aktivitete të tilla është bërë një rutinë e rregullt për ta, sepse vizitorët dhe kureshtarët janë të shumtë. Në qytetin e Gjirokastrës kjo është ekspozita e gjashtë e automjeteve retro, dhe vetë qyteti është një stacion dinjitoz për historikun dhe vlerat e tyre.

Aktiviteti gjithashtu ka rezultuar në të gjitha edicionet si një mundësi e shkëlqyer për vizitorët që të njihen me historinë e automobilizmit krahas eksplorimit të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Top Channel