
Një bunker anti-atomik po ndërtohet në zemër të Torinos.
I pari i këtij lloji i ndërtuar nga privati në qytet, ndërtesa është vetëm pak hapa larg nga Piazza San Carlo, në cepin mes Via Vittorio Alfieri dhe Via Arsenale.
E gjithë ndërtesa prej 5.000 metrash katrorë, është e mbështjellë nga skela dhe plot me punëtorë që po punojnë intensivisht. Objekti është marrë në dorëzim nga kompania Vertico që nga muaji mars, për t’u transformuar në apartamente luksoze. Ish-insegna e “Banco di Napoli” qëndron ende e dukshme në fasadën e jashtme. Brenda, stili liberty (art nouveau) është i padiskutueshëm.
Por zbritja në katin nëntokësor zbulon një realitet tjetër, një derë e blinduar prej çeliku. Dikur, aty ndodhej ish-thesari i bankës – një vend i sigurt ku ruheshin bizhuteritë dhe veprat e artit të klientëve të pasur të Banco di Napoli. Pas derës së blinduar prej betoni të armuar, ndodhet ende një tabelë me mbishkrimin “Arrin Euroja” dhe një rresht i gjatë me kasa sigurie të numëruara një e nga një. Errësirë. Tufa çelësash të varura në mur. Copëza betoni dhe suva të rrëzuara në dysheme.
“Kërkesa erdhi nga dy blerës të huaj”, tregojnë Andrea Delmastro dhe Edoardo Follo, themeluesit e grupit Vertico. “Bunkeri ka kapacitet për të strehuar deri në 18 persona, me një autonomi maksimale prej 30 ditësh, në kushte të plota sigurie ndaj rrezatimit. Brenda, hapësirat do të përfshijnë kuzhina të pajisura, një dhomë ndenjeje, dhoma gjumi dopio, lidhje interneti dhe televizion.”
Kjo është një risi absolute për kryeqytetin piemontes, i cili numëron tashmë qindra strehime antiajrore – shpesh në vende krejt të papritura, nën Palazzo Civico (ndërtuar mes viteve 1940-1942), në Piazza Risorgimento, madje edhe shumë afër harkut Olimpik.
Top Channel