Hapen shkollat në Greqi, ndjeshëm më pak nxënës, mbyllen mbi 700 shkolla në vendin fqinj

11/09/2025 17:06

Si çdo shtator, mijëra nxënës në të gjithë Greqinë kanë marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të Agjiasmosit ku një prifti bekon nxënësit, mësuesit dhe klasat për një vit të mbarë.

Tingujt e kambanave dhe emocionet e fëmijëve shoqërojnë një ditë që simbolizon fillimin e dijes dhe shpresës.

Por pas këtij fillimi festiv, shifrat tregojnë një realitet dramatik: 112 mijë nxënës më pak në shkollat fillore të vendit, krahasuar me disa vite më parë. Vetëm këtë vit janë 44 mijë fëmijë që futen në klasën e  parë më pak se në vitin 2010.

Ditët e fundit shumë media vendase u referohen faktit që në Greqinë e vitit 2025, bankat e shkollave boshatisen më shpejt sesa mbushen. Vetëm këtë vit, 714 shkolla në të gjithë vendin nuk do të hapin dyert, pasi nuk arritën numrin minimal prej 15 nxënësish. Mbylljet e shkollave nuk ndodhin tashmë  vetëm në fshatrat e largëta apo ishujt e vegjël por në çdo rajon të Greqisë, nga Atika me 77 shkolla të mbyllura, te Maqedonia Qendrore me 150, apo Thesalia me 81.

Në shumë komunitete, heshtja ka zëvendësuar zhurmën e fëmijëve. Shkolla që dikur ishin zemra e jetës lokale, sot shuhen bashkë me shpresën e një brezi.

Përfaqësues nga  Ministria e  Arsimit theksojnë se në një moment kur problem demografik në vend është në kulmin e tij , bëhen përpjekje që të hapen shkollat edhe me një nxënës të vetëm.”

Si shembull për të mbajtur gjallë arsimin në çdo cep të vendit, jepet ishulli Psérimos, kur pas shumë vitesh, shkolla rihapet për katër fëmijë, ndërsa në Telendo vazhdon të funksionojë një shkollë me vetëm një nxënës. Ekspertët thonë se ulja e lindjeve, emigracioni dhe shpërngulja drejt qyteteve po boshatisin fshatra e ishuj. Dhe bashkë me mbylljen e shkollave, humbet edhe një pjesë e shpresës për të ardhmen.

Është një brez i tërë që rrezikon të humbasë, para se të ketë mundësinë të ulet ndonjëherë në bankat e shkollës.

 

 

Top Channel