Tre kafka elefanti që datojnë rreth 7.7 milionë vjet më parë janë zbuluar gjatë gërmimeve në Kayseri, në Turqinë Qendrore.

Gërmimet, të cilat nisën në vitin 2018 pas një raportimi nga një bari në vitin 2017 pranë Digës së Yamoula-s, po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Drejtorisë së Muzeut të Kayserit dhe me mbështetjen financiare të bashkisë së qytetit.

Kafkat u zbuluan në rajonin e Kocaşinanit, përgjatë lumit Kızılırmak. Gjatë gërmimeve janë zbuluar edhe një sërë fosilesh të tjera, përfshirë mbetje të gjirafave prehistorike, elefantëve, mamuthëve, rinocerontëve, dhive, antilopave, breshkave dhe derrave.

Arkeologu Ömer Dağ i tha agjencisë turke të lajmeve Anadolu se ekipi i tij po përqendrohet kryesisht në fosilet e elefantëve, duke gërmuar në zonën përreth digës.

“Mund ta quajmë këtë vit ‘vitin e elefantit’,” tha Dağ. “Që nga fillimi i gërmimeve në vitin 2018, kemi zbuluar dy kafka. Por vetëm këtë vit, gjatë një sezoni të vetëm, kemi gjetur tre,” shtoi ai, duke theksuar se edhe pse dhëmbët janë disi të dëmtuar, njëra nga kafkat u gjet me nofullën e poshtme të paprekur.

Analizat radiometrike i datojnë këto gjetje rreth 7.7 milionë vjet më parë. Shumica e fosileve të elefantëve janë zbuluar në zonën Sevril, e cila tani njihet si “brezi i elefantëve”. Arkeologu theksoi rëndësinë e këtyre gjetjeve për shkak të madhësisë dhe gjendjes së mirë të ruajtjes së fosileve të megafaunës, të cilat kanë tërhequr vëmendje shkencore ndërkombëtare.

“Përqendrimi i elefantëve në vende të caktuara dhe dendësia e tyre na ofrojnë informacione të vlefshme në lidhje me paleogjeografinë e zonës,” shtoi Dağ.

Top Channel