Fotot nga Asambleja/ Lëvizjet “surprizë” të Edi Ramës në kabinetin e ri qeverisës, ministrat që e pritën me befasi detyrën e re

11/09/2025 17:30

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot ‘armatën’ e tij për mandatin e katërt, me të cilin do të synojë të arrijë qëllimet dhe objektivat, me sytë drejt BE.

Prezantimi i emrave të ministrave të rinj, kryetarit të Kuvendit dhe kreut të Grupit Parlamentar, por dhe propozimin për kryetaren e re të bashkisë së Tiranës apo paralajmërimet për ngritje komisionesh të reja, numri një i socialistëve i bëri gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS.

Rama erdhi me disa lëvizje surprizë në ‘pasqyrën’ e qeverisë së tij në këtë mandat të katërt, ku disa prej emrave që morën poste, mbetën të befasuar.

Ogerta Manstirliu e priti thuajse e përlotur propozimin e Ramës për të kandiduar për kryetare e bashkisë së Tiranës.

Po kaq i befasuar ishte edhe ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e po ashtu edhe Andi Salla, i cili do të lërë bashkinë e Cërrikut dhe do të drejtojë ministrinë e Bujqësisë.

Për këtë të fundit Rama tha se ka bërë një punë shumë të mirë, në një bashki shumë të vogël, e që duhet marrë shembull, vlerësime në fakt që kreu i qeverisë i ka bërë edhe më parë.

Jo më pak e surprizuar ishte edhe Albana Koçiu, e cila nga ministria e Shëndetësisë, do t’i besohet drejtimi i një dikasteri ‘sfidues’, Ministria e Brendshme.

Kjo do të jetë hera e parë që kjo ministri do të drejtohet nga një grua, ndërsa gjatë prezantimit të Koçiut, Rama tha se ky dikaster nuk është vetëm për Policinë, por edhe për shumë fusha dhe agjenci të tjera që i ka nën mbikëqyrje, që do duhet të marrin vëmendjen që meritojnë.

FOTO GALERI
2/36

Top Channel