
Calum Turner ka folur për marrëdhënien e tij me Dua Lipën, duke deklaruar se dëshira e tij e vetme është të qëndrojë pranë saj përgjithmonë.
Çifti dha një intervistë për emisionin Etalk, ku aktori 35-vjeçar u pyet për planet e tyre të ardhshme. Ai u përgjigj shkurtimisht: “Thjesht të jemi bashkë, përgjithmonë.”
Lidhja e Dua Lipës dhe Calum Turner nisi në janar 2024. Thashethemet për fejesën e tyre nisën në dhjetor të po atij viti, kur këngëtarja postoi në rrjetet sociale disa foto ku shfaqej me një unazë diamanti në gisht. Konfirmimi zyrtar erdhi në qershor, gjatë një interviste të Dua Lipës për British Vogue.
“Po, u fejuam. Është shumë emocionuese,” tha ajo. “Ky vendim për t’u plakur së bashku, për të ndarë jetën dhe për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë – është një ndjenjë vërtet e veçantë,” rrëfeu ajo.
Callum Turner Shares His and Fiancée Dua Lipa’s Hopes for Married Life https://t.co/NDX9QA6moE
— People (@people) September 11, 2025
Një burim i tha revistës People në qershor se çifti po e shijon periudhën e fejesës dhe nuk kanë ndonjë nxitim për t’u martuar.
“Dua është e çmendur pas Calumit. Ata kanë folur për të ardhmen dhe për dasmën,” tha burimi. “Por sapo janë fejuar dhe janë ende në atë ‘atmosferën festive’. Nuk kanë filluar ende as planifikimin e dasmës,” shtoi ai.
Së fundmi, çifti ka vendosur të bashkëpunojë profesionalisht, duke themeluar kompaninë TwentyTwo Films Limited. Kjo kompani do të fokusohet në prodhimin e filmave artistikë dhe shfaqjeve televizive. Si Dua Lipa (30 vjeç), ashtu edhe Calum Turner (35 vjeç) zotërojnë aksione të barabarta.
Një burim pranë çiftit, që foli për The Sun, tha: “Dua dhe Calum janë njerëz shumë ambiciozë dhe kanë shumë plane për projekte që duan t’i realizojnë së bashku. Ajo tashmë e ka provuar veten në botën e filmit dhe, nëse do të marrë pjesë në projekte të reja, dëshiron të ketë më shumë kontroll krijues.”
I njëjti burim shtoi: “Ata kanë shumë ide që besojnë se do të funksionojnë. Është ende herët, por motorët tashmë janë vënë në lëvizje.”
Top Channel