Sulmi izreaelit në Katar, Trump “mes dy zjarresh”, reagon Shtëpia e Bardhë: Nuk dinim gjë

10/09/2025 15:38

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi se administrata Trump u njoftua vetëm këtë mëngjes nga ushtria amerikane për sulmin e Izraelit në Katar.

Ajo refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve nëse ushtria amerikane u informua sakaq nga Izraeli apo nëse e zbuloi vetë sulmin.

“Hamasi, për fat të keq, ishte i vendosur në një pjesë të Dohas”, tha ajo.

“Bombardimi i njëanshëm brenda Katarit, një komb sovran dhe aleat i ngushtë i SHBA-së që po punon shumë fort duke marrë me guxim rreziqe me ne për të ndërmjetësuar paqen, nuk i çon përpara qëllimet e Izraelit apo të Amerikës”, shtoi Leavitt, sipas të cilës megjithatë, “eliminimi i Hamasit, i cili ka përfituar nga mjerimi i atyre që jetojnë në Gaza, është një qëllim i denjë”.

Sipas zëdhënëses, presidenti amerikan i siguroi udhëheqësit e Katarit se një sulm i tillë nuk do të ndodhte përsëri. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), njoftuan një ditë më parë se kishin kryer sulme që kishin në shënjestër “udhëheqjen e lartë të organizatës terroriste Hamas”.

Sulmi u tha se është realizuar në bashkëpunim me shërbimin sekret Shin Bet në Doha, vunë në dukje forcat e armatosura. Katari reagoi i indinjuar dhe deklaroi se do të hiqte dorë nga roli i ndërmjetësit për paqen.

Kanali televiziv i lajmeve Al-Arabija njofton, se gjatë sulmit sipas informacioneve paraprake është vrarë Khalil al-Haja, por konfirmim për vdekjen e al-Hajas apo të tjerë funksionarëve të Hamasit ende nuk ka.

Agjencia e lajmeve Reuters duke iu referuar burimeve të Hamasit pohoi se ekipi negociator i ka mbijetuar sulmit.

 

Top Channel