Scorpions, të dielën në Tiranë , organizatorët: Koncert madhështor, grupi legjendar i rrokut rikthehet pas 24 vitesh

10/09/2025 13:23

Sheshi Skënderbej do të elektrizohet të dielën në mbrëmje nga muzika e grupit legjendar të rrokut, Scorpions.

Banda gjermane e rrokut mbyll turin evropian me ndalesën në Tiranë në 14 shtator, në një rikthim pas 24 vitesh në vendin tonë.

Klodian Makashi, organizator i koncertit: Ne kemi gati dy vite që ndjekim Scorpions-at për të ardhur në Tiranë. Janë një grup shumë i dashur për publikun shqiptar, për më tepër kanë një historik, sepse kanë qenë në Tiranë edhe në 2001. Ka qenë edhe kjo një kërkesë jona që të riktheheshin edhe për të parë ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë.

Mikkey Dee Miki Di, Matthias Jabs Matias Jabs, Klaus Meine Klaus Majne, Rudolf Schenker Rudolf Shenkë and Paëeł Mąciwoda Pavel Moçivoda do të performojnë hitet e tyre si Wind of Change apo Still Loving You për fansat shqiptarë.

Klodian Makashi, organizator i koncertit: Do të jetë një koncert madhështor, jo vetëm nga performanca e tyre, por nga i gjithë ajo që do shohim si publik, sepse e meritojmë… ne si popull kemi kaluar shumë dhe duhet ta ndryshojmë perceptimin, duhet të gëzojmë, duhet të kalojmë mirë, të shkojmë në konverte e festivale.

Scorpions nuk janë vetëm një grup, janë një kapitull i gjallë i historisë së muzikës. Këtë e tregon edhe interesi i të rinjve për të ndjekur koncertin.

Klodian Makashi, organizator i koncertit: Edhe për ne, perceptimi në fillim ka qenë që Scorpions kanë audiencë brezin e tretë, por me shitjen e biletave, zbuluam që shumica e audiencës i përkasin grupmoshës 21-44 vjeç.

Këtë vit, Scorpions festojnë 60-vjetorin e krijimit. Në 6 dekada, çdo anëtar ka lënë gjurmën e tij, duke krijuar këngë që frymëzuan gjenerata të tëra dhe që vazhdojnë të prekin zemrat edhe sot.

Top Channel