
Ajo që filloi si një lëvizje e thjeshtë në rrjetet sociale nga të rinjtë e Nepalit, të njohur si “Gen Z”, kundër jetës luksoze të fëmijëve të politikanëve – “Nepo Kids” – përfundoi si protesta më e dhunshme që vendi ka parë në vite, duke çuar në dorëheqjen e kryeministrit dhe një krizë të thellë politike.
Qyteti i qetë i Kathmandus u zgjua të mërkurën nën pluhurin e tymit të zi që ngrihej mbi ndërtesat shtetërore të djegura, ndërsa ushtarët patrullonin rrugët bosh për të zbatuar orën policore.
Pas dy netësh kaosi, parlamenti dhe Gjykata e Lartë u dogjën, protestuesit u përleshën me policinë, dhe dhjetëra mijëra qytetarë zbarkuan në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre ndaj një qeverie që ata e konsiderojnë të korruptuar dhe të shkëputur nga realiteti.
Protestat nisën në fillim të shtatorit, kur të rinjtë reaguan ndaj postimeve të fëmijëve të politikanëve, që shfaqnin çanta luksoze e udhëtime të shtrenjta, ndërsa papunësia rinore ishte mbi 20%, sipas Bankës Botërore.
Kur qeveria vendosi ndalimin e platformave si Instagram, Facebook dhe WhatsApp, për shumë të rinj kjo ishte “pikë kthese”.
“Ishte rrjeti ynë i vetëm për të folur, për t’u organizuar dhe për të ndarë realitetin tonë,” – tha për CNN Pramin, një regjisor nga Katmandhu.
Çfarë nisi si një tubim paqësor në Maitighar Mandala, shumë shpejt u kthye në përleshje të dhunshme me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba të vërtetë ndaj protestuesve.
Sipas autoriteteve, të paktën 19 persona humbën jetën, shumica prej tyre të rinj.
Në kulmin e protestave, ndërtesat më të rëndësishme shtetërore – përfshirë Singha Durbar, ku ndodhen zyrat e qeverisë – u vunë në flakë. Protestuesit u ngjitën mbi ndërtesë duke valëvitur flamurin e Nepalit, në skena që i kujtuan shumëkujt lëvizjet studentore në Bangladesh vitin e kaluar.
“Ata nuk janë thjesht ndërtesa. Janë historia dhe trashëgimia jonë,” – tha Sareesha Shrestha, një pjesëmarrëse në protestë.
Të martën, Kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen, duke e cilësuar situatën si “jashtëzakonisht të rëndë”. Ndërkohë, Ushtria e Nepalit bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog kombëtar, ndërsa presidenti kërkoi nga të rinjtë të ulen në bisedime.
Por deri të mërkurën, asnjë takim nuk ishte planifikuar midis autoriteteve dhe lëvizjes rinore pa lider të qartë.
Pavarësisht suksesit të përmbysjes së një lideri, të rinjtë e “Gen Z” që udhëhoqën këtë lëvizje shprehen se nuk janë përgjegjës për dhunën dhe vandalizmin që pasoi, duke akuzuar grupe të infiltruar për shkatërrimet.
“Ne nuk kërkuam dhunë. Ne kërkojmë përgjegjësi dhe përfaqësim,” – tha Shree Gurung për CNN.
Shumë të rinj tani kërkojnë udhëheqje të re, përfshirë fytyra të reja nga brezi i tyre në politikë.
Në një vend ku 33% e PBB-së vjen nga emigracioni dhe remitancat, dhe shumica e të rinjve largohen për të kërkuar jetë më të mirë jashtë, këto protesta janë një sinjal i fortë për elitën politike. Por situata mbetet e brishtë.
“Ka frikë. WhatsApp-i po shpërthen nga mesazhet. Të rinjtë që protestuan në mënyrë paqësore kanë frikë se do të përndiqen,” – tha një studente juridiku për CNN.
Nga filtrat në Instagram te ballë për ballë me forcat e armatosura në rrugët e Katmandus – Gen Z i Nepalit ka treguar se është i gatshëm të sfidojë sistemin. Por sfida më e madhe sapo ka filluar: Si ta ndërtojnë një të ardhme ndryshe pa e shkatërruar trashëgiminë që duan ta shpëtojnë.
Top Channel