A do të ndodhë më në fund ribashkimi? Mbreti Charles mbërrin në Londër në të njëjtën kohë me Princin Harry, të gjitha sytë nga takimi i mundshëm historik

10/09/2025 16:38

Mbretit Charles III dhe Princit Harry mund t’u jepet sot një mundësi e rrallë për një takim pajtues shumë të pritur, pasi monarku britanik ka mbërritur në Londër pas një qëndrimi në Skoci.

Mbretit iu vu re zbritja në RAF Northolt në Perëndim të Londrës rreth orës 15:00, pasi më herët ishte parë duke hipur në një avion në aeroportin e Aberdeen-it. Në të njëjtën kohë, Princ Harry përfundoi një vizitë në Imperial College London, vetëm nëntë milje larg vendit ku mbërriti babai i tij.

Vizita e Mbretit në kryeqytet, menjëherë pas qëndrimit në Balmoral, ka ngjallur spekulime për një takim të mundshëm mes tij dhe Harry-t, gjatë qëndrimit katërditor të Dukës në Mbretërinë e Bashkuar.

Më vonë gjatë ditës, Harry pritet të marrë pjesë në një pritje zyrtare të lidhur me Invictus Games, nismë që ai e nisi në vitin 2014 për të mbështetur ushtarakët dhe veteranët e plagosur.

Duka i Sussex pritet të ketë rreth tre orë të lira mes dy angazhimeve të tij në Londër sot, si dhe pak kohë nesër në mëngjes, përpara se të largohet sërish drejt Kalifornisë.

Harry ndodhet në ditën e tretë të një vizite të rrallë katërditore në Britani, gjatë së cilës ka realizuar disa angazhime bamirësie, por deri tani nuk është takuar me asnjë anëtar të afërt të familjes mbretërore – as me Mbretin dhe as me Princin William.

Të hënën, ai mori pjesë në Ceremoninë e Çmimeve WellChild në Londër, duke nderuar fëmijë me sëmundje të rënda. Të martën, ai udhëtoi për në Nottingham, ku njoftoi një donacion prej 1.1 milionë paundësh për Children In Need.

Sot, ai u pa i buzëqeshur në Qendrën për Studime mbi Plagët nga Shpërthimet në White City, ku u takua dhe përqafoi mikun e tij të vjetër, David Henson, ish-kapiten i Ushtrisë Britanike dhe pjesëmarrës në dasmën e tij me Meghan Markle në 2018.

Henson humbi të dy këmbët pas një shpërthimi në Afganistan më 2011 dhe sot ka një doktoraturë në biomekanikë për personat e amputuar. Ai ishte pjesë e Ekipit Britanik në Invictus Games.

Harry gjithashtu përkujtoi në heshtje përvjetorin e tretë të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, duke vendosur lule pranë varrit të saj në Windsor Castle.

Ndërkohë, Princi William ishte sot në Cardiff, ku vizitoi një qendër të re për shëndetin mendor, të lançuar nga Fondacioni Jac Lewis në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve. Një ditë më parë, ai kishte qenë në Lambeth për të promovuar nismën Homewards, që synon të adresojë çështjen e strehimit.

Me Williamin 150 milje larg dhe ende pa ndonjë komunikim të konfirmuar me të atin, e ardhmja e marrëdhënieve familjare mbetet e pasigurt, por çdo shpresë për pajtim i është drejtuar takimit të mundshëm mes Harry-t dhe Mbretit Charles gjatë këtyre orëve në Londër.

FOTO GALERI
3/10

Top Channel