
Ushtria izraelite u kërkoi sot palestinezëve në Qytetin e Gazës të evakuojnë zonën përpara një operacioni të ri për të kapur qendrën më të madhe urbane në Rripin e Gazës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u kishte bërë thirrje banorëve të Qytetit të Gazës dje, të hënën, të “largoheshin tani”.
“Brenda dy ditësh, kemi shkatërruar 50 kulla terroristësh dhe ky është vetëm fillimi i intensifikimit të operacioneve tokësore në Qytetin e Gazës. Unë u them banorëve: Ju kemi paralajmëruar, largohuni tani”, theksoi Netanyahu.
Ushtria izraelite dje shkatërroi një tjetër ndërtesë apartamentesh, e katërta brenda tre ditësh në Qytetin e Gazës, i cili konsiderohet si bastioni i fundit i Hamasit në enklavën palestineze.
Izraelitët, të cilët u kishin kërkuar banorëve të largoheshin nga ndërtesat e apartamenteve para se t’i sulmonin, akuzojnë Hamasin se i përdor ndërtesat për aktivitetet e tij, një akuzë që grupi palestinez e mohon.
Ushtria thotë se kontrollon 40% të Qytetit të Gazës dhe një plan u hartua në gusht për të marrë nën kontroll plotësisht qytetin.
Top Channel