Thyhet “mallkimi” ndaj Letonisë, Shqipëria fiton për herë të parë pas 6 barazimesh radhazi

09/09/2025 22:59

Më në fund! Pas gjashtë përballjesh që kishin prodhuar vetëm barazime, Shqipëria arrin të thyejë tabunë ndaj Letonisë, duke marrë fitoren e parë historike ndaj tyre.

Në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin “Air Albania”.

Goli që vendosi fatin e sfidës erdhi në minutën e 25-të, kur Kristjan Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin Shqipërisë. Ky gol rezultoi vendimtar dhe i mjaftoi skuadrës së trajnerit Sylvinho për të siguruar tre pikë jetike në rrugën drejt ëndrrës për një Botëror.

Letonia kishte qenë historikisht një kundërshtar “i papërthyeshëm” për kuqezinjtë, jo për shkak të forcës, por për faktin se të gjitha ndeshjet mes dy ekipeve kishin përfunduar në barazim. Por këtë herë, loja e qetë, e organizuar dhe e matur e Shqipërisë, solli një fitore të merituar dhe fshiu njëherë e mirë këtë statistikë të çuditshme.

Me këtë sukses, Shqipëria merr frymë më lirshëm dhe ruan gjallë shpresat për një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026.

Top Channel