Rekrutonte të rinj për organizatat terroriste, arrestohet 37-vjeçari në Itali

09/09/2025 18:26

Policia e Brescias ka arrestuar një shtetas 37-vjeçar nga Bangladeshi, banor në zonën e Mantua-s, i dyshuar si ekstremist islamik dhe rekrutues i të rinjve për sulme terroriste.

Hetuesit e DIGOS zbuluan lidhjet e tij me një organizatë terroriste dhe e vunë nën hetim si pjesë e një operacioni më të gjerë kundër terrorizmit.

Sipas hetimeve, 37-vjeçari ishte i lidhur me një grup të njohur si “Tehrik e Taliban Pakistan”, një degë e Al Kaedës. Ai kishte indoktrinuar një tjetër person, i cili më pas u dënua për lidhje me këtë organizatë.

Në telefonin inteligjent të të arrestuarit u gjetën video me teknika stërvitjeje ushtarake, si dhe një sasi e madhe materialesh propagandistike ekstremiste.

Burri i arrestuar predikonte një interpretim radikal të Islamit, që ndërthur besimin me luftën e armatosur, duke shfaqur përkushtim deri në pikën e martirizimit.

Gjatë hetimeve, falë bashkëpunimit të DIGOS së Venedikut, u kryen kontrolle edhe ndaj dy individëve të tjerë me lidhje të rëndësishme me të dyshuarin.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, e cilësoi operacionin si një shembull të qartë të efikasitetit të sistemit të sigurisë në parandalimin e kërcënimeve terroriste.

Ai theksoi se ky ishte rezultat i një pune komplekse hetimore dhe vuri në dukje nivelin e lartë profesional të Policisë së Shtetit Italian, e cila konsiderohet një pikë referimi në Europë në luftën kundër terrorizmit.

Top Channel