Nepali ‘në flakë’/ Qeveria tërhiqet pas protestave të përgjakshme kundër ndalimit të rrjeteve sociale

09/09/2025 07:30

Qeveria e Nepalit ka hequr ndalimin e rrjeteve sociale, pasi protestat masive që pasuan e lanë të paktën 19 persona të vdekur dhe mbi 100 të plagosur, përfshirë përplasje të dhunshme me policinë.

Në javët para ndalimit, në rrjete sociale ishte përhapur një fushatë me hashtagun “nepo kid”, që denonconte jetën luksoze të fëmijëve të politikanëve dhe akuzat për korrupsion. Kjo nxiti zemërim të madh në radhët e të rinjve.

Kur qeveria vendosi të ndalojë 26 platforma sociale, përfshirë Facebook dhe YouTube, mijëra të rinj protestuan duke marshuar drejt parlamentit në kryeqytetin Katmandu. Shumë distrikte janë aktualisht nën orë policore.

Një ministër qeveritar tha se ndalimi u hoq pas një mbledhjeje urgjente të mbajtur të hënën mbrëma, për të “adresuar kërkesat e brezit Z”.

Qeveria kishte urdhëruar bllokimin e platformave për shkak të mosregjistrimit të tyre pranë Ministrisë së Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit, duke e justifikuar vendimin me nevojën për të luftuar lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes dhe mashtrimet online.

Megjithatë, për të rinjtë protestues, ndalimi ishte vetëm pika që derdhi kupën.

“Fokus i vërtetë nuk është ndalimi, por korrupsioni,” tha për BBC një protestuese, Sabana Budathoki. “Duam ta marrim vendin tonë mbrapsht.”

Protestuesit mbanin pankarta me slogane si “Mjaft më!” dhe “Fund korrupsionit!”. Disa madje sulmuan me gurë shtëpinë e kryeministrit KP Sharma Oli në qytetin e tij të lindjes, Damak.

Policia përdori topa uji, shkopinj gome dhe plumba gome për të shpërndarë turmat.

Kryeministri Oli tha se ishte “thellësisht i pikëlluar” nga dhuna dhe viktimat, duke fajësuar për përshkallëzimin “grupe me interesa të fshehta”.

Ai premtoi hetim të thelluar dhe ndihmë financiare për familjet e viktimave, si dhe trajtim falas për të plagosurit.

Pas kritikave të shumta për përdorimin e forcës, Ministri i Brendshëm Ramesh Lekhak dha dorëheqjen të hënën në mbrëmje.

Top Channel