
Barush Bregu (Bajram Bregu) është shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës si bashkëpunëtor i autorit të masakrës së Shkodrës ditën e djeshme.
Ai akuzohet për veprat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”, ndërsa bashkë me të është shpallur në kërkim edhe një 17-vjeçar.
Bregu është emër i njohur për policinë. Ai rezulton i arrestuar 6 vite më parë në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, në operacionin policor të koduar “Kompleksi”, i dyshuar si pjesë e një grupi të njohur kriminal.
Lidhur me ngjarjen e djeshme, policia ka zbuluar një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale.
Nga operacioni u sekuestruan 2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit Ragip Gila, i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;
-automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel