
Problematikat e shfaqura në zgjedhjet e fundit parlamentare, Komisioneri Ilirjan Celibashi i materializoi në 14 kërkesa për amendim të Kodit Zgjedhor.
Vendimmarrja e parë dhe e shpejtë që pritet nga politika është zgjerimi i votimit elektronik në të gjithë vendin.
Administrimi i procesit nga komisionerët partiakë vijon të jetë thembra e Akilit në çdo palë zgjedhje. Kreu i KQZ propozon depolitizimin e komisioneve të dyta dhe të treta dhe rikthimin te numërimi në qendrat e votimit.
Certifikimi final i zgjedhjeve erdhi pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, ku puna e trupës gjykuese, e cila përzgjidhet me short, për kreun e KQZ nuk ishte efektive, duke propozuar shkrirjen e kësaj hallke ankimore.
Nga reforma zgjedhore pret një formulë të re dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të cilin ai drejton.
Vota e diasporës është e pakthyeshme për kreun e KQZ, por kërkon adresim për formën se si do të implementohet në të ardhmen, pasi problematikat me postën nuk munguan, gjë e cila duket se ka futur edhe institucionin në konflikt me operatorin postar.
“Procesi i votimit nga jashtë ishte një ndër aspektet pozitive të zgjedhjeve të 11 majit.
Jam i ndërgjegjshëm dhe nuk i analizoj gjithë çfarë flitet ndryshe. Votimi nga jashtë ishte një sukses i padiskutueshme për këto zgjedhje dhe për KQZ.
Jam i bindur që ky proces ishte me integritet të plotë, është respektuar fshehtësia e votës.
Shembujt konkret që kemi nga votues nga jashtë në komunikimin direkt që kanë pasur me KQZ, e konfirmojnë këtë. Proces historik dhe i realizuar sikurse do duhej të realizohej”-u shpreh Celibashi.
Komisioneri kërkon rishikim të ligjit për partitë politike si dhe rregulla strikte për financimin e subjekteve, sidomos nga palët e treta, si dhe monitorim më të rreptë të veprimtarisë së institucioneve publike para zgjedhjeve.
Mes ndryshimeve që kërkon ishte edhe ai për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Top Channel