Dikur punonjëse s*ksi, sot në Parlament, rrëfehet deputetja: Nuk më vjen turp, e kaluara ime më formoi si politikane

08/09/2025 19:11

Deputetja finlandeze Anna Kontula, një nga figurat më të njohura të majta në Parlamentin e Finlandës, ka rrëfyer publikisht për herë të parë se ka punuar si eskortë për gati dy dekada para se të futej në politikë.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze Helsingin Sanomat, të publikuar këtë të shtunë, 48-vjeçarja tha se nuk ndjen aspak turp për të kaluarën e saj, duke e quajtur këtë eksperiencë një pjesë themelore të rrugëtimit të saj personal dhe politik.

Kontula tregoi se filloi të punonte si eskortë në moshën 16-vjeçare, ndërsa jetonte në një konvikt studentor. Ajo e përshkroi vendimin si të motivuar nga vështirësi ekonomike, por edhe nga kureshtja rinore.

“Doja të përballoja jetesën dhe kjo ishte një zgjidhje mjaft racionale në rrethanat ku ndodhesha,” – u shpreh ajo për HS.

Për gati 20 vite, ajo pati ndërprerje të herëpashershme nga puna në industrinë e seksit, por mbeti gjithnjë e angazhuar për të drejtat e punonjësve të seksit, një çështje që do ta kthente më vonë në një nga zërat më të fortë në politikën finlandeze.

Në vitin 2002, Kontula bashkëthemeloi organizatën SALLI, një sindikatë për punonjësit e seksit, ndërkohë që botoi ese dhe shkrime që sfidonin tabutë dhe paragjykimet publike ndaj kësaj industrie.

Kur Finlanda miratoi një ligj të ri në vitin 2006 që kufizonte pjesërisht blerjen e shërbimeve seksuale – përfshirë ndalimin e blerjes nga viktimat e trafikimit dhe të miturit – Kontula e quajti një “fitore të pjesshme”, pasi për herë të parë përfshinte elemente mbrojtëse për viktimat.

Ajo u zgjodh për herë të parë në Parlamentin finlandez në vitin 2011 dhe aktualisht po shërben mandatin e saj të katërt. Gjatë gjithë këtyre viteve, ka mbetur një aktiviste e palëkundur për të drejtat e punonjësve të seksit dhe reformimin e politikave sociale.

E pyetur pse vendosi ta ndajë tani publikisht këtë pjesë të jetës së saj, Kontula tha: “Të flasësh për këtë temë tani mund të sjellë përfitime reale në debatin shoqëror mbi punën seksuale dhe drejtimin që duhet të marrë politika sociale.”

Ajo gjithashtu konfirmoi se nuk do të rikandidojë për një mandat të pestë, pasi synon të angazhohet në profesionin e punonjëses sociale, me fokus në edukimin për seks të sigurt dhe mbrojtjen sociale.

Rrëfimi i Kontulës ka ngjallur reagime të shumta në Finlandë. Psikologia ligjore Pia Puolakka, në një opinion të botuar në Helsingin Sanomat, shprehu shqetësimin e saj për qasjen e deputetes.

“Është e rrezikshme të paraqitet puna seksuale si një profesion ‘si gjithë të tjerët’. Normalizimi i saj nuk e bën shoqërinë më të lirë apo më të drejtë,” – shkruan Puolakka.

Sipas saj, shteti duhet të krijojë kushte jetese që nuk detyrojnë askënd të shesë intimitetin e tij për të mbijetuar.

Në Finlandë, prostitucioni është i ligjshëm, me disa përjashtime. Ligji i vitit 2006 e ndalon blerjen e shërbimeve seksuale nga persona të mitur, nga ata të përfshirë në trafikim ose në rrjete kriminale. Kur Kontula filloi të punonte si eskortë në adoleshencë, ajo nuk shkelte ligjin e asaj kohe, edhe pse kjo do të ishte ndryshe sot.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel