
Pazari karakteristik i Gjirokastrës është kthyer këtë fundjavë në një skenë të gjallë të artizanatit shqiptar.
Për tri ditë me radhë, dhjetëra artizanë nga zona të ndryshme të vendit kanë ekspozuar punimet e tyre në Panairin e Artizanatit, duke rikthyer atmosferën mesjetare të pazarit si qendër prodhimi, zejesh dhe shkëmbimesh.
Punimet e ekspozuara përfshijnë teknika autentike shekullore, një pjesë e të cilave janë pjesë e trashëgimisë jomateriale që sot konsiderohet e rrezikuar. Në stendat e vendosura përgjatë rrugicave të gurta gjenden endje në vegjë, punime në gur dhe dru, vegla muzikore tradicionale, por edhe produktet e zaireve të dimrit, një traditë e hershme ku familjet lokale përgatisnin reçelra, turshi, gliko dhe produkte të tjera tradite për muajt e dimrit.
Panairi është shoqëruar edhe me rritje të dukshme të vizitueshmërisë. Operatorët turistikë raportojnë se kapacitetet e akomodimit në qytet janë të rezervuara mbi 70% përgjatë ditëve të fillimit të shtatorit.
Ndërkohë, mbrëmjet në Gjirokastër janë mbushur me polifoni, veshje tradicionale dhe muzikë popullore, këngëtarë të njohur të muzikës moderne dhe DJ përgjatë natës duke krijuar një atmosferë ideale për qindra të rinj.
Mimoza, e njohur për prodhimet bio të glikove dhe reçelërave, thotë se panairi është gjithmonë një mundësi për të sjellë diçka të re.
“Ka shumë vite që në shtator zhvillohen aktivitete dhe ne artizanët dalim gjithnjë me produktet tona. Unë merrem me glikotë dhe reçelërat. Këtë herë kam futur shurupin e manaferrës, shurupin e trëndafilit dhe borzilokun”, u shpreh ajo
Motrat Koçollari, të cilat punojnë bizhuteri artizanale, theksojnë rritjen e interesit falë zhvillimeve turistike në qytet.
“Ne prezantohemi me vathë, kristale, perla. Këtë vit kemi sjellë edhe produkte për djem. Vit pas viti interesi është më i lartë, sepse në Gjirokastër ka turizëm dhe përmirësime që ndikojnë edhe tek punimet tona”, thonë motrat.
Ikonografi Drini Difo e ka nisur punën që në fëmijëri dhe sot ekspozon art bizantin, për të cilin ka kërkesa edhe nga jashtë vendit.
“Koha sot kërkon eksperienca të reja në artin fetar, por edhe në peizazh ose portret. Studioja ime në Lazarat vizitohet nga vizitorë të ndryshëm dhe kërkesat janë të përjavshme”, u shpreh ikonografi.
Ndërsa Eli Zhulati nënvizon rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në ruajtjen e traditave.
“Pjesë e panairit janë edhe qëndistaret e vogla pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Ato nuk sjellin produktet e tyre, por mësojnë teknika që mungojnë në shkollat tona. Kjo ka rëndësi për të mbajtur gjallë trashëgiminë”, u shpreh Eni Zhulali.
Me kalimin e viteve, Gjirokastra po krijon një profil më të qartë turistik, ku trashëgimia dhe artizanati po bëhen pjesë përbërëse e ofertës turistike.
Nga produktet tradicionale, muzika polifonike tek zejet e hershme, qyteti po e ndërton fizionominë e tij si një destinacion kulturor, ku turizmi lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen dhe promovimin e traditës.
Top Channel