Mijëra qytetarë marrin pjesë në homazhet e Giorgio Armanit/ Ikona e modës përcillet në banesën e fundit të hënën, Milano shpall një ditë zie

06/09/2025 21:22

Mijëra qytetarë u bënë pjesë e homazheve për ikonën italiane të modës. Qindra njerëz pritën në radhë në Teatrin Armani në Milano.

Nga personalitet të njohura nga bota e artit, si Donatella Versace dhe qytetarët që adhuronin artin e tij, bënë nderimet pranë arkëmortit që u rrethua me trëndafila të bardhe dhe qirinj. Pranë trupit të pajetë të legjendës së modës, që u nda nga jeta të enjten në moshën 91-vjeçares qëndronte partneri i tij, Leo Dell’Orco. Në ceremoni, yjet që bashkëpunuan me të ndër vite, e vlerësuan Armanin si stilistin që punonte me mjeshtëri dhe i jepte identitet çdo veshjeje që krijonte.

Homazhet publike do të vijojnë edhe këtë të diel, ndërsa të hënën do të mbahet funerali, në një ceremoni tejet private, teksa Milano, kryeqyteti italian i modës, ku Armani u zhvendos me familjen e tij pas Luftës së Dytë Botërore, do të mbajë një ditë zie.

Me një karrierë prej pesë dekadash, Giorgio Armani ndërtoi një perandori biznesi që përfshinte nga veshjet luksoze deri te mobiliet e shtëpisë. Emrin i tij u bë sinonim i elegancës, teksa deri në fund mbajti kontrollin e kompanisë së tij.

Kur vdiq, ai ishte një nga njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri neto të vlerësuar në 11.8 miliardë dollarë, sipas revistës Forbes.

Top Channel