
Të gjithë individët dhe bizneset të cilët kryejnë pagesa elektronike do të përfitojnë nga komisione më të ulëta.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë reduktoi kostot për këto pagesa. Të gjitha transfertat deri në 40 mijë lekë tashmë do të kryhen pa komision, ndërsa për pagesat deri në 10 milionë lekë, komisionet do të ulen rreth 10 herë.
Po ashtu, për pagesat në euro, tarifat minimale dhe përqindjet janë rishikuar ndjeshëm, duke e bërë më të leverdishëm përdorimin e kanaleve elektronike si brenda ashtu edhe jashtë vendit, në kuadër të integrimit me rrjetin SEPA.
“Këto ndryshime vlerësohet se do t’u kursejnë qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare përafërsisht 40 milionë euro në vit dhe njëkohësisht krijojnë bazën e nevojshme për integrimin e mëtejshëm të vendit në SEPA dhe për implementimin e projektit TIPS Clone për pagesat e shpejta.”-sipas Bankës së Shqipërisë.
Një tjetër vendim i marrë në këtë mbledhje është dhe forcimi I rregullores për kriteret e licencimit të pikave të këmbimit valutor. Duke filluar nga rritja e kapitalit fillestar, dokumentimi I këtij kapitali dhe verifikimi i pronarëve i cili do të jetë i thelluar.
“Ndryshimet e propozuara në rregullore synojnë të përmirësojnë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së zyrave të këmbimit valutor. Ato forcojnë kërkesat për reputacionin, integritetin dhe qëndrueshmërinë financiare të subjekteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.”
Sipas Bankës Qendrore synim është parandalimi i pastrimit të parave dhe rritja e sigurisë për klientët, në përputhje me rekomandimet e organizatës ndërkombëtare Moneyval. Këto masa kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe forcimin e stabilitetit financiar.
Top Channel