
Aktori i njohur kanadez dhe anëtari i fiseve indigjene, Graham Greene, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Greene u bë i njohur për publikun e gjerë me rolin e tij si “Kicking Bird”, një mjek Lakota, në filmin epik “Dances With Wolves”, rol që i solli një nominim për Oscar si Aktori më i Mirë në Rol Dytësor.
I lindur në Ontarion jugore dhe anëtar i Kombit Oneida, Greene pati një rrugëtim të larmishëm përpara aktrimit, si vizatues teknik, punëtor çeliku dhe muzikant. Karrierën e tij e nisi në teatrot e Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1970. Gjatë karrierës së tij të pasur, ai u shfaq në filma të njohur si “Thunderheart”, “The Green Mile”, “Die Hard With a Vengeance”, “Maverick”, “The Twilight Saga: New Moon” dhe “Wind River”.
Në vitin 2004, Greene u nderua me Çmimin Earle Grey për arritje gjatë jetës, ndërsa në 2016 u pranua në Urdhrin e Kanadasë, një nga nderimet më të larta civile në vend. Ai kujtohet si një prej zërave më të rëndësishëm të aktorëve indigjenë në kinemanë dhe televizionin amerikan dhe kanadez./ TAR
Top Channel