
Fotoja me bluzën e kuqe dhe pantallonat blu, i shtrirë pa jetë në bregdetin turk, u bë simbol i dështimit të politikave të Europës ndaj refugjatëve.
Sot, 10 vite më vonë, deti vazhdon të jetë një varr i hapur për mijëra të tjerë, shkruan Corriere della Sera.
2 shtatori 2015, kur bota u detyrua të shohë dështimin e saj
Ishte mëngjesi i 2 shtatorit 2015 kur trupi i vogël i Alan Kurdi, vetëm 3 vjeç, u gjet i pajetë, i shtrirë përmbys në breg të detit në Bodrum të Turqisë. Ai, së bashku me familjen e tij kurdo-siriane, kishte tentuar të kalonte me gomone drejt ishullit grek Kos, në kërkim të shpëtimit nga lufta në Siri dhe nga terrori i ISIS.
Si shumica e refugjatëve, edhe ai kishte një jelek shpëtimi fals, pavarësisht se babai kishte paguar më shumë se 5 mijë dollarë për atë kalim tragjik që do të zgjaste vetëm pak minuta.
Një foto që ndaloi botën për një çast, por jo tragjedinë
Fotografia e Alanit, realizuar nga gazetarja turke Nilüfer Demir, e tregonte atë sikur të ishte në gjumë, një fëmijë i zakonshëm. Por ai imazh pushtoi botën dhe zemrat e miliona njerëzve, duke e kthyer trupin e tij të vogël në një ikonë të dhimbjes dhe indiferencës ndërkombëtare.
Polici që e gjeti i pari trupin, Mehmet Çıplak, rrëfeu më vonë: “Shpresova që ishte gjallë… por kur e ktheva, kuptova që ishte vonë. U theva nga brenda.”
Në atë kohë, Sirianët ishin ata që tentonin arratisjen me çdo kusht. Sot janë palestinezët e Gazës që përballen me të njëjtin det, tashmë i kthyer në një kurth të pashpëtueshëm. Dhe ukrainasit, që kërkojnë strehim ndërsa lufta u shkatërron shtëpitë.
Në vend që të mësonim nga Alan, bota u dorëzua sërish përballë krizave të reja: Gaza dhe Ukraina janë plagët e reja mbi hartën e vuajtjes, shton media italiane.
Një varr i përvitshëm në det: 28 mijë të vdekur në 10 vite, mes tyre 3.500 fëmijë
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (OIM), që nga viti 2015 deri sot, mbi 28 mijë njerëz kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar Mesdheun. Prej tyre, rreth 3.500 ishin fëmijë, një “shtet i tërë” me Alanë të vegjël të zhdukur përgjithmonë.
Kjo është sa një fëmijë në ditë, për 10 vite rresht, që nuk mbërrin dot në tokën që shpresonte.
Tima Kurdi, halla e Alanit, e cila nuk e takoi kurrë nipin e saj, por e ndjen peshën e dhimbjes çdo ditë, kujtoi me lot “Kur mësova që Alan ishte mbytur, rashë në tokë dhe bërtita sa munda, që bota të më dëgjonte. Çfarë bëtë ju kur patë atë foto? Çfarë ndjetë? Sepse tragjedia nuk ka mbaruar, ajo vetëm ka ndryshuar emra.”
Pas përfundimit të misionit shtetëror Mare Nostrum, një flotë vullnetare e organizatave joqeveritare ka vazhduar të përpiqet për të shpëtuar jetë në det.
Një nga anijet që patrullon për shpëtim mban edhe emrin e Alan Kurdit, një homazh për fëmijën që tronditi botën, por edhe një thirrje për të mos harruar ata që vijnë pas tij.
Shpresa që vjen nga brigjet
Ditët e fundit, anije të nisura nga Genova, Tunizia, Sicilia, Spanja dhe Greqia po përpiqen të çajnë bllokadën për të dërguar ndihmë në Gaza, përmes një iniciative të quajtur Sumud Flotilla.
Një sinjal nga toka për të treguar se jo të gjithë kanë kthyer sytë. Se, edhe pse Alan Kurdi nuk jeton më, historia e tij nuk duhet të përsëritet. Dhe se çdo jetë e re që tenton të shpëtojë, meriton më shumë sesa një jelek shpëtimi fals dhe një breg të heshtur.
Top Channel